Transmetuar më 01-01-2018, 12:59
Publicitet

Laeli lindi vetëm 10 sekonda pas mesnate në ditën e parë të vitit 2018 në Maternitetin "Koço Gliozheni" dhe 1 min më vonë lindi Nadia në maternitetin Mbretëresha Geraldinë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi në mëngjes dy bebet e para të vitit në dy maternitetet e Tiranës ku dhuroi pako të posaçme për të porsalindurit dhe uroi vitin e ri 2018 të sapoardhurve në jetë, familjeve të tyre dhe të gjithë shqiptarëve. 

“Një djalë, Laeli, në Maternitetin Koço Gliozheni dhe një vajzë, Nadia në Maternitetin Mbretëresha Geraldinë janë dy fëmijët e parë të vitit, dy fëmijë të shëndetshëm, një ogur i mirë për këtë vit të ri që uroj të jetë i mbarë dhe i begatë për të gjithë shqiptarët”, tha Ministrja Manastirliu.

Viti ka ardhur i mbarë, pasi 9 fëmijë kanë lindur në ditën e parë të vitit në Maternitetin Mbretëresha Gerladinë dhe 7 fëmijë erdhën në jetë në Maternitetin Koço Gliozheni.

Sipas Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, viti 2018 do të jetë vitit i fëmijëve.

“Për ne fëmijët janë të parët ndaj viti 2018 do të jetë viti i fëmijëve me nisma shumë të rëndësishme të Ministrisë sonë sa i takon mirëushqyerjes dhe shëndetit të fëmijëve”, tha Manastirliu.

Për herë të parë nga viti që sapo hyri do të ketë ushqim të përditshëm në shkollat e Tiranës.

Fillimisht në tetë prej tyre e më pas me shtrirje në të gjithë kryeqytetin e më tej në të gjithë vendin.

Por nuk është e gjitha jo. Shkollat e mësipërme, të arsimit nëntëvjeçar dhe atij të përgjithshëm do të qëndrojnë të hapura nga mëngjesi deri në orën 17.00 çdo ditë nga e hëna në të premte.

Për herë të parë, nxënësit do t’i përgatisin detyrat për ditën e nesërme, që në shkollë gjatë orëve pas përfundimit të mësimit të paradites.

Sakaq, kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit do të qëndrojnë të hapura gjatë gjithë verës.

Drejtorja e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Zhaneta Beqiri, thotë se shërbimi nuk do të bjerë gjatë sezonit veror.

“Çerdhet dhe kopshtet do jenë hapur gjatë gjithë verës. Ritmi do të jetë i njëjtë, cilësia e shërbimit do të jetë e njëjtë”.