Transmetuar më 01-01-2018, 14:24

Cilat janë pritshmëritë e Shqipërisë për Vitin e Ri 2018 dhe si lidhen me vitin që lamë pas

Reforma në drejtësi shihet si marrëveshja historike e vitit 2017. Të gjithë politikanët drejtues nga 1991 e deri më sot do të hetohen për korrupsion. Por cilat janë pritshmëritë për vitin 2018?

Nga Ani Ruci / DW

Ecuria e Shqipërisë në 2017-ën i ngjan një rruge me zigzage, me ecje përpara por edhe kthime pas. Kryefjala e këtij viti është drita e gjelbër për finalizimin e Reformës në Drejtësi dhe dekriminalizimin e politikës.

Procesi i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve tanimë ka filluar. Në muajt e parë të vitit 2018 priten rezultatet e tij që do t'i hapin rrugën ngritjes së Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) në pranverën e 2018-ës, konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) si edhe zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, me mandat 7 vjeҫar. Është hapur rruga edhe për skanimin e Policisë së Shtetit dhe administratës publike që fillon në muajt e parë të 2018-ës.

Por viti 2017 shënoi një vonesë të jashtëzakonshme në ecurinë e procesit të Reformës në Drejtësi, të bllokimeve dhe arsenalit të pengesave ndaj saj. Mungesa e kulturës së kompromisit dhe mbizotërimi i interesave partiake mbi ato të vendit sollën një zvarritje të madhe. Ngritja e ekipit të vettingut mori plot një vit kohë, korrik 2016- korrik 2017 dhe një gjysëm viti u desh për përzgjedhjen e stafit dhe akomodimin e tij në zyrat përkatëse. Refoma në Drejtësi rezulton më e penguara ndër të gjitha reformat e kryera në Shqipëri, në 27 vitet e demokracisë.

Reforma në drejtësi në një rrugë pa kthim pas

Albanien Treffen zwischen Premierminister Edi Rama und Oppositionsführer Lulzim Basha

Me ngritjen e trupës së vettingut, të KLP dhe KLGJ, reforma në drejtësi në Shqipëri ka hyrë tanimë në një rrugë pa kthim pas. SPAK ka kompetenca për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin aktiv dhe pasiv në nivelet më të larta, pa kursyer gjithë drejtuesit e shtetit, të qeverisë, parlamentit, deputetë, kryetarë partie, funksionarë të lartë në administratën publike gjatë 26 viteve, që nga viti 1991 e deri më sot. Kur kjo të ndodhë do të jetë revolucioni i shumëpritur nga qytetarët e thjeshtë dhe forcat politike progresive, që do ta shkëpusë Shqipërinë nga zvarritja për një periudhë të gjatë të ashtuquajtur "tranzicion post-komunist”.

Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, thotë: "Do të tronditet stanjacioni shumëvjeçar i pandëshkueshmërisë. Dhe kjo është padyshim risia pozitive më e madhe që solli viti 2017”.

2017, vit zgjedhjesh, elitat politike nuk ndryshuan

Albanien Parlamentswahlen

Gjatë vitit 2017 në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të radhës, zgjedhja e Presidentit dhe zgjedhjet në PD, më të madhen në opozitë në Shqipëri, që nuk sollën ndryshim të elitës politike, Rama-Meta-Basha. Por zgjedhjet parlamentare sollën ndryshime te thella ne PD dhe grupin e saj parlamentar.

PD bojkotoi Parlamentin në mes të shkurtit 2017. Në "Çadrën e Lirisë" të ngritur në Bulevard, përballë zyrës së kryeministrit Rama, opozita e drejtuar prej saj kërkoi për3 muaj rresht dorëheqjen e Ramës dhe qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Albanien Parlament erste Sitzung

Një marrëveshje, e arritur mes Kryeministrit Rama dhe liderit të PD, Basha, në maj, pas ecejakesh të pasuksesshme të politikanëve të lartë të Brukselit e zhbllokoi situatën. Opozita hyri në zgjedhje dhe bashkëqeverisi për pesë muaj me PS dhe LSI me kryeministër Edi Ramën. Opozita humbi thellë zgjedhjet. PS dhe Rama fituan një mandat të dytë qeverisës. Protesta 12 javore në „Çadrën e Lirisë" nuk arriti synimet e saj që rezultuan jo në përputhje me vullnetin e shumicës së zgjedhësve dhe solli ҫarje të thella në PD. Rizgjedhja e Bashës si kryetar i PD është stigmatizuar si e manipuluar dhe jo demokratike nga një pjesë e mirë e demokratëve.

Astrit Patozi, ish-deputet dhe ish-kryetar i grupit parlamentar të PD, një nga kundërshtarët e vendosur të kryetarit Basha, ndër personalitetet e PD, që Basha i la jashtë Parlamentit të ri, e përshkruan bilancin e PD në 2017, "më të keqin në gjithë historisë e saj politike. PD ndodhet në një krizë shumëplanëshe përfaqësimi, besimi, por mbi të gjitha morali". Viti 2017 solli edhe largimin e kundërshtarëve të kryetarëve dhe mendimit ndryshe në dy partitë kryesore PS dhe PD. Zgjedhjet Presidenciale në vitin 2017 sollën si President, Ilir Metën, ish-kryetar i LSI dhe i Parlamentit nga 2013-2017. 

Politologu dhe studiuesi i njohur Afrim Krasniqi konstaton një risi unikale. "Kalimi i drejtimit të LSI nga Ilir Meta tek bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi përbën rastin e parë në një parti politike në një vend demokratik” vë në dukje profesor Krasniqi.

Rritje ekonomike mbi 4,1 % në vitin 2018

Ekonomia në vitin 2017 përforcoi trendin e rritjes. Sipas një studimi të kryer nga Komisioni Europian (KE) për ekonomitë e vendeve kandidate për anëtarësim, ekonomia e Shqipërisë do ketë tregues pozitivë që garantojnë një rritje ekonomike më shumë se 4 % në vitin 2018. Stabilizimi i pritshëm në tregun botëror i çmimeve të naftës, që Shqipëria e eksporton dhe rritja e turizmit do të jenë sipas ekspertëve të KE baza e rritjes së të ardhurave valutore. Me ndikim pozitiv janë reformat në mbështetje të biznesit dhe ajo në Drejtësi. Por pengesë madhore për zhvillimin e ekonomisë shqiptare mbetet mungesa e sigurisë lidhur me pronësinë mbi tokën.

Pritshmëri në vitin 2018

Viti 2018 do të fillojë me protestën e paralajmëruar të opozitës për të rrëzuar qeverinë Rama 2. "Nisja konfliktuale e jetës politike është ndoshta rezistenca e fundit që bën elita e vjetër politike dhe segmentet uzurpuese të demokracisë hibride në Shqipëri. Shpresoj të jetë kapitulli i fundit për korrupto-politikën, që mbajti vendin dhe qytetarët e Shqipërisë në stanjacionin e një periudhe që është pagëzuar si "tranzicion post-komunist”, thotë për DW, Aleksandër Çipa.

Shqipëria pret vendimin e Këshillit të Ministrave të BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit në 6 mujorin e parë të vitit 2018. Rezultatet në reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin e politikës janë vendimtare për një vendim pozitiv, që nëse ndodh, do ta bëjë vitin 2018 të hyjë në historinë e Shqipërisë dhe të BE.