Transmetuar më 01-01-2018, 17:27

Pronarja e televizionit Top Channel, Vjollca Hoxha, reagoi për largimin e Sokol Ballës nga media më e madhe në Shqipëri, ku ajo është aksionere së bashku me fëmijët e saj.

Për Vjollca Hoxhën, largimi i Ballës është goditje, por Top Channel nuk ka prekur fundin me këtë ikje.

“Natyrisht që ikja e Sokol Ballës është një goditje, por nuk është fundi. Ka plot të tjerë në tregun mediatik që mbushin boshllëkun e krijuar, bile edhe mund të jenë më të mirë. Kjo nuk do të thotë se Sokol Balla nuk është gazetar VIP dhe me një zgjuarsi e nuhatje te lindur për gazetar. Por nuk u shemb Roma se iku Koli”.

Duke nisur nga janari i vitit që sapo hyri, gazetari, opinionisti dhe moderatori Sokol Balla do të jetë në postin e drejtorit ekzekutiv të televizionit Vizion Plus.

Ky ndryshim vjen pasi Sokol Balla është larguar përfundimisht nga televizioni kombëtar Top Channel, kanali më i madh televiziv në Shqipëri.

Sokol Balla në një mesazh në rrjetin social Tëitter, pohoi se e lë këtë TV pas 12 vjetësh atje.

Mesazhi i Ballës u publikua mbrëmë, pak para ndërrimit të viteve.

“Uroj që jeni duke kaluar bukur. Ky vit mbyll shumë kapituj për shume nga ne. Një nga ata edhe unë. Në këtë fund 2017 dua të uroj se pari koleget e mi të Top Channel, me të cilët kalova më shumë se 12 vjet të paharruar, dhe me të cilët rruga ime sot ndahet. Gëzuar 2018! Koli”.

Ikja e Sokol Ballës nga Top Channel erdhi pak javë pasi atij iu hoq detyra e drejtorit të departamentit të Informacionit i cili prodhon edicionet e përditshme të lajmeve dhe disa emisione të tjera informative në këtë televizion.

NOA.al raporton se nga muaji janar, Balla do të jetë në Vizion Plus me detyrë të dyfishtë, drejtimin e këtij televizioni dhe një emision të përhershëm ashtu si në Top Channel.

Por cili do të jetë titulli i emisionit që Sokol Balla do të ketë në Vizion Plus?

Nëse do të qëndrojmë te paralajmërimi që Balla bëri në emisionin e fundit në Top Channel, emri mund të jetë “Real Story”.

Në intervistën me Edi Ramën në “Top Story”, teksa Rama e uronte për punën në vazhdim, Balla i tha se e rëndësishme nuk është “Top Story” por “Real Story”.

Sakaq, mendohet që emisionin “Top Story”, patentë e Top Channel, ta drejtojë gazetari Endri Xhafo. /noa.al/