Transmetuar më 02-01-2018, 08:50

Nata e ndërrimit të viteve nuk ka qenë pushim për trafikantët e drogës. Policia italiane, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, kapën një gomone që lundronte në ujërat ndërkomëbtarë.

Mjeti lundrues, 6 metër i gjatë, me motor fuoribordo, ishte ngarkuar me lëndë narkotike, gati për t’u trafikuar.

Pas ndjekjes, në afërsi të Leçes, Guardia di Finanza ka bërë bllokimin e gomones me dy skafistë në bord.

Njëri prej tyre ishte shqiptar, A.Gj. 55 vjeç, dhe një italian me inicialet A.D. 38 vjeç.

Pas peshimit të lëndës narkotike, rezultoi se në të ishin vendosur 605 kg drogë, e dyshuar marijuanë.

Mjeti lundrues u pikas nga Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza gjatë patrullimit, të cilët më pas  kanë informuar njësitë e Guardia di Finanza në Pulia, dhe menjëherë është ngritur avioni i Frontex duke patrulluar zonën detare ku nga radarët e QNOD ishte gjurmuar një mjet lundrues i dyshimtë.

Më herët, ditën e shtunë, u bllokua një tjetër gomone me 1.7 ton kanabis, dhe u ndaluan tre persona nga qyteti i Vlorës. /k.k/noa.al/