Transmetuar më 02-01-2018, 12:37

Akt frikacaku e ka quajtur Lulzim Basha ndalimin e dy protestuesve, njërin prej tyre në kufi.

Në një reagim në facebook, kryetari i Partisë Demokratike akuzon Edi Ramën, i cili sipas tij e ka çuar vendin në varfëri, për shkak të bashkëqeverisej me krimin.

“Ndalimi i protestuesve edhe në natën e ndërrimit të viteve është reagim prej frikacaku i Edi Rames nga zemërimi masiv i qytetarëve, që falë bashkëqeverisjes së tij me krimin, janë sot më të varfrit ne Europë. Ndërsa me bekimin e tij kalojnë tonelata drogë drejt Italisë, policia e urdhëruar nga Edi Rama dhe vëllai i trafikantit të drogës, Fatmir Xhafa, po ndalon qytetarët që u ngritën kundër dhunimit të kushtetutes, kundër emërimit të Edi Ramës kryeprokuror”, ka shkruar Basha.

Sipas tij, “këto janë shenjat e tmerrit që i ka kapur nga protesta e rradhës”.

Lideri i opozitës shkruan se burgosja e qytetarëve nuk e shpëton dot Edi Ramën, dhe se ky i fundit nuk mund të burgosë një popull të tërë.

“Me akte të tilla Edi Rama nuk bën gjë tjetër veçse po firmos me shpejtësi fundin e tij politik. Shqiptarët e vranë frikën 28 vite më parë. Kushdo që përpiqet të rikthejë sundimin përmes frikës, do të ketë të njëjtin fund”, mbyllet reagimi i Lulzim Bashës. /k.k/noa.al/