Transmetuar më 03-01-2018, 13:26

Me 4 vota pro dhe 2 kundër KQZ miratoi shtyrjen e seancës për të vendosur nëse do të hiqej apo jo mandati i deputetëve Aqif Rakipi dhe Gkledion Rahovica.  Avokati i Rakipit tha se dokumenti i prokurorisë nuk është nënshkruar nga prokurorja e përgjithshme.

"S’ka një akt nga organi kompetent që ngarkon ligji mendoj që ky komision s’duhet të kishte përcaktuar këtë seancë, ka qenë detyra juaj t’ja kthenit mbrapsht apo të kërkonit plotësim, nuk është argument që meqë herët e tjera keni vepruar në këtë formë të vepronit edhe këtë herë.

Vendim pa certifikim të prokurorit të përgjithshëm është bërë në një situatë kur është ndërruar drejtuesi i prokurorisë. Paska pasur një autorizim nga prokurori i mëparshëm, duhet të certifikohen me domosdo nga prokurori i përgjithshëm në detyrë", tha Sollaku.

Ndërsa anëtari i LSI Gëzim Veleshnja kërkoi më shumë informacion nga prokuroria për shkresën e deputetit të LSI, Rahovioca. Ai kërkoi që të dërgohet sërish në Prokurorinë  e Përgjithshme materiali i dërguar nga organi i akuzës pasi siç tha ai ka një sërë problemesh ligjore.

Në fund, KQZ-ja kërkoi material shtesë nga prokuroria për të dy rastet e dy deputetëve Gledion Rahovica dhe Aqif Rakipit, deri më datë 5 janar kur edhe do të mblidhet sërish.

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar në ditët e fundit të vitit 2017 ndërprerjen e mandatit për deputetin e PDIU-së dhe atë të LSI-së, të cilët sipas organit të akuzës rezultojnë se janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. /b.l/noa.al/