Transmetuar më 03-01-2018, 14:19

Një shqiptar 35 vjeç ka përfunduar në prangat e policisë italiane, pasi akuzohet se ka dhunuar familjen e tij, ndërsa ka kërcënuar me thikë djalin adoleshent.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 1 janarit në banesën ku banonte familja shqiptare në Montelupo Fiorentino të Italisë, ndërsa në pranga ka përfunduar babai i dhunshëm me inicialet G.P.

Ndërhyrja e policisë erdhi menjëherë pasi gruaja dhe fëmijët e tij, denoncuan se burri mbante në dorë një thikë kuzhine dhe kërcënonte se do vriste djalin 17-vjeçar.

Sipas mediave italiane, 35-vjeçari ishte i dehur në momentin kur ndodhi ngjarja, dhe se gjithçka kishte ardhur si pasojë e një debati familjar për motive të dobëta.

Në dëshminë e dhënë nga familjarët në polici, mësohet se ai prej kohësh ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj familjarëve të tij, ndërsa skena e fundit ka ndodhur në sy të vajzës së tij të vogël.

Ata deklaruan më tej para efektivëve se kërcënimi i fundit i ka frikësuar pa masë dhe duke qenë se ai ishte një episod i përsëritur në shtëpinë e tyre vendosën ta denonconin, duke çuar në pranga kryefamiljarin. /b.l/noa.al/