Transmetuar më 04-01-2018, 16:02

Një shpërblim që do lumturonte këdo e aq më tepër një artist të përmasave të tij, i cili ka dhënë shumë për publikun shqiptar.

Këtë fundvit Qeveria ka marrë një vendim duke i bërë “dhuratë” për Vitin e Ri, aktorit të njohur Mirush Kabashi, të cilit i është rritur pensioni.

Më konkretisht në vendimin e posaçëm përcaktohet shtesë pensioni për të.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave për artistin shqiptar, të cilit përveç pensionit të përfituar sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, i është shtuar në masën e katërfishit të pensionit social.

Kësisoj aktori Kabashi përfiton edhe 280 mijë lekë të vjetra më shumë, nga pensioni që merr aktualisht.

Vendim

Për dhënie shtese pensioni të posaçëm shtetëror z. Mirush Musa Kabashi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

Vendosi

Dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror z. Mirush Musa Kabashi, në masën e katërfishit të pensionit social, por shuma e pensionit, që përfiton sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, plus këtë shtesë, të mos kalojë tetëfishin e pensionit social. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. /a.y/noa.al