Transmetuar më 12-01-2018, 10:53

Pak ditë më parë ai e priti në Presidencë ku e vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit”, por tashmë duhet të thotë dy fjalë për ndarjen e tij nga jeta.

Presidenti Ilir Meta reagon lidhur me vdekjen e parakohshme të mjeshtrit të valles Rexhep Çeliku, i cili humbi betejën me një sëmundje të rëndë.

“Me dhimbje të thellë mësova lajmin drithërues të ndarjes së parakohshme nga jeta të Rexhep Çelikut, emblemës së valles dhe traditës sonë kulturore, mjeshtrit të madh të skenës së Ansamblit tonë Shtetëror, të papërsëritshmit të kërcimit tonë popullor, njeriut fisnik e atdhetar, frymëzimit të spikatur të brezave të artistëve të rinj. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, njerëzve të tij të dashur e kolegëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme”, shprehet Meta në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Dekoratën për mjeshtrin e valles shqipe Meta e argumentoi, “në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.

Rexhep Çeliku, lindur me 19 korrik 1954 në Tiranë, i cili që nga viti 1976 është solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numëron në repertorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Ai është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”. /a.y/noa.al

Ndahet nga jeta mjeshtri i valles shqipe, Rexhep Çeliku

Meta jep dekoratën “Nderi i Kombit” për mjeshtrit e valles Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu