Transmetuar më 12-01-2018, 11:52

Presidenti Ilir Meta nderon figurën e Rexhep Çelikut duke vendosur foton e valltarit të njohur në faqen zyrtare të institucionit të Presidencës.

Presidenti Ilir Meta reagoi lidhur me vdekjen e parakohshme të mjeshtrit të valles Rexhep Çeliku, i cili humbi betejën me një sëmundje të rëndë.

“Me dhimbje të thellë mësova lajmin drithërues të ndarjes së parakohshme nga jeta të Rexhep Çelikut, emblemës së valles dhe traditës sonë kulturore, mjeshtrit të madh të skenës së Ansamblit tonë Shtetëror, të papërsëritshmit të kërcimit tonë popullor, njeriut fisnik e atdhetar, frymëzimit të spikatur të brezave të artistëve të rinj. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, njerëzve të tij të dashur e kolegëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme”, tha Meta në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Rexhep Çeliku, lindur me 19 korrik 1954 në Tiranë, i cili që nga viti 1976 është solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numëron në repertorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit. /a.y/noa.al