Transmetuar më 16-01-2018, 18:29

Policët nuk po i besonin syve teksa morën në duar ikonën e Shën Mërisë te shtëpia e një çifti shqiptar ku shkuan për kontroll. Pas kornizës fshihej një sasi kokaine.

Droga e fortë që në tregun e zi narkotik shitet me të paktën 100 euro një gram, u zbulua në shtëpinë e një çifti në Pire të Greqisë, raporton noa.al duke cituar burime nga policia lokale.

Duke qenë se policia antidrogë kishte prej kohësh të dhëna se çifti merrej me trafik kokaine, ushtroi dje kontroll, por nuk po gjente asgjë.

Në një moment, kontrolli u bë edhe më i imët dhe një nga policët po shihte se diçka nuk shkonte te ikona e Shën Mërisë e varur në mur.

Kur ai e lëvizi, pas saj pa një gropë katrore dhe kur zhyti dorën brenda, nxori disa qeska me kokainë.

Plot një kilogram, ose 100 mijë euro kokainë, u gjet në gropën pas Shën Mërisë.

Jo vetëm drogë, sepse në vendin e fshehtë kishte edhe 12 mijë euro, të cilat gjithashtu u sekuestruan nga policia.

Video më poshtë ju tregon më shumë. /noa.al/