Transmetuar më 23-01-2018, 18:41

Në Greqi, një grup fëmijësh shqiptarë të shoqëruar nga prindërit dhe mësuesit, janë bërë pjesë të një aktiviteti në gjimnazin “Elefteros Venizelos” në Hania të Kretës.

Aktiviteti është zhvilluar paraditen e të dielës me praninë e përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Athinë.

Ndërsa zhvillohej aktiviteti ku merrnin pjesë mbi 40 shqiptarë, flamuri grek është ulur poshtë shkollës dhe ndërkohë është vendosur në fasadën e përparme të gjimnazit, flamuri shqiptar. Më tej, flamuri grek është marrë dhe është vendosur pranë atij shqiptar, por mbrapsht.

Këto detaje janë vërejtur me vëmendje nga të pranishmit dhe reagimet nuk vonuan.

Pjesa më e madhe, në mënyrë nacionaliste dhe me tone antishqiptare, e konsideruan të papranueshëm faktin.

Kjo pasoi me kërkesën që të mos lejohen më shqiptarët që të zhvillojnë mësime të gjuhës shqipe në këtë shkollë.

Mediat lokale raportuan sot se kjo kërkesë u ekzekutua me efekt të menjëhershëm.

Në mediat e Kretës, drejtori i këtij gjimnazi, pohoi se kishte pranuar një kërkesë të parashtruar nga kryetari i shoqatës së Shqiptarëve të Hania-së, që çdo të shtunë e të diel të kryhen mësime të gjuhës shqipe në këtë shkollë për fëmijët e emigrantëve.

Reagimi grek për flamurin, u pasua nga një deklaratë e kreut të shoqatës së Shqiptarëve të Hania-së. Ai tha se flamuri grek u vendos pranë atij shqiptar në shenjë miqësie mes dy vendeve duke mohuar të jetë ulur flamuri mbi shkollë. /noa.al/