Transmetuar më 25-01-2018, 14:20

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot klerikun e shquar shqiptar, Reisul Ulema-n e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepin, duke e dekoruar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Ky vlerësim u dha me motivacionin: “Për merita të shquara në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare. Në vlerësim të mbrojtjes së interesave dhe jetës fetare islame mes shqiptarëve, të kujdesit për zhvillimin e shkollimit, të institucioneve fetare në frymën kombëtare, si dhe përpjekjeve për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar”.

Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm klerikë edhe drejtues të lartë të bashkësive fetare shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Kardinali Ernest Simoni (Troshani), Ambasadori i Maqedonisë Stojan Karajanov, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës Sylë Ukshini, deputetë të Kuvendit, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Loreta Aliko, intelektualë dhe personalitete të ndryshme, etj.

Në fjalën e tij Meta tha se, duke mbrojtur interesat dhe jetën fetare islame mes shqiptarëve, është kujdesur veçanërisht për cilësinë e shkollimit, ruajtjes së frymës kombëtare në institucionet fetare si dhe është përpjekur për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar.

Presidenti i Republikës u shpreh se. “Sulejmani, me guxim, pjekuri, e vendosmëri e ka orientuar zhvillimin dhe fuqizimin e jetës fetare islame duke i dhënë rëndësi profilizimit të saj me identitet burimor. Në vitin 1991 Sulejmani zyrtarizoi gjuhën shqipe në Institucionet e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni dhe një vit më vonë ai ishte një nga nënshkruesit e Grupit nismëtar për themelimin e Universitetit të Tetovës”.

Sipas kreut të shtetit, organizata që ai drejtonte u kthye në strehën kryesore të pritjes dhe kujdesit të refugjatëve të krizës humanitare të viteve 1998-1999 nga Kosova.

Duke vënë në pah se bashkëjetesa mes besimeve fetare të shqiptarëve është një thesar, një pasuri dhe një vlerë e jashtëzakonshme, Presidenti deklaroi se “Ky realitet, ashtu siç na përket të gjithëve, edhe kërkon nga ne që ta ruajmë si sytë e ballit e ta mbrojmë me fanatizëm ndaj çdo fanatizmi fetar, ekstremizmi apo dogme të huaj e përpjekjeje për ta shkëputur nga brendia e saj kombëtare dhe përbashkuese.”

Duke falënderuar Presidentin e Republikës për këtë vlerësim, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman efendi Rexhepi u shpreh se. “Kjo dekoratë e lartë është e lakmueshme për çdo shqiptar kudo ku gjendet e jeton në botë. Për të gjithë ata që i thonë nënës ‘nënë’, bukës ‘bukë’, ujit ‘ujë’, nga foshnjëria e tij e deri në frymën e fundit të jetës së kësaj bote. Është nder dhe kënaqësi e çdo shqiptari të tillë të dekorohet me një dekoratë të tillë”. /a.y/noa.al