Transmetuar më 06-02-2018, 22:20

Intervistoi Aleksia Kefala

Cili është vlerësimi juaj për marrëdhëniet dypalëshe Greqi-Shqipëri sot?

Njerëzit e thjeshtë, në Shqipëri dhe Greqi, gjithmonë manifestojnë ngrohtësi dhe mikpritje njëri për tjetrin. Historia na ka bashkuar nga lashtësia dhe përgjatë saj ekzistojnë shumë shembuj të veçantë ku njëra palë ka bërë mirë për tjetrën. Shqiptarët strehuan fqinjët e tyre, duke u ofruar mbështetje e ushqim robërve fatkeqë të luftës Greko-Italiane dhe grekët bënë të njëjtën gjë me ne, kur ne dolëm nga periudha zvetënuese e diktaturës komuniste.

Njerëzit dhe kombet tona gjithmonë kanë kërkuar dhe kanë merituar një marrëdhënie të shkëlqyer midis tyre, por politika jo gjithmonë ka reflektuar dëshirën e tyre. Kjo është për të ardhur keq dhe në momente të caktuara përgjatë historisë, i ka bërë marrëdhëniet tona të vështira apo edhe të errëta.

Si Kryeministër jam angazhuar që nga dita e parë që të ndërtoj një marrëdhënie strategjike midis Greqisë dhe Shqipërisë e bazuar në respekt të ndërsjelltë, në besim dhe dëshirë për të ecur dorë për dore drejt një të ardhme shumë të mirë për të dy popujt tanë.

Nuk ka qënë e lehtë. Kemi pasur tensionet dhe fërkimet tona, por sidoqoftë, çështjet i kemi përballur me sinqeritet nga të dy palët.

Paçka faktit se në këtë periudhë nuk kemi pasur kontakte të nivelit më të lartë midis dy qeverive tona, ne kemi mundur të zhvillojmë një kuptim të drejtë dhe të qartë të shqetësimeve nga të dy anët.

Besoj se tani gjendemi në një pozicion të favorshëm për t’i përmirësuar në mënyrë të rëndësishme marrëdhëniet tona, duke i ndërtuar ato mbi këtë punën të bërë nga të dy palët, për të përballur çështjet e të shkuarës dhe për t’i mundësuar vetes ecjen sëbashku drejt një të ardhme më të mirë për njerëzit tanë, për kombet tona e për rajonin tonë.

Jam i bindur se e gjithë puna e vështirë të cilën kemi marrë përsipër, në vazhdim të mund të na japë frytet e veta dhe të na bëjë të gjithëve krenarë.

Dy vendet janë në negociata për të zgjidhur çështje të ndryshme. Si Kryeministër ju keni shtruar cështjen e çamëve. Cfarë kërkohet saktësisht nga Tirana?

Nga pala greke, kjo çështje është perceptuar si shfaqja e një agjende të fshehtë nga ana jonë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Dua të jem krejt i qartë, ashtu sikurse jemi dhe me miqtë tanë në Athinë, që një pretendim i tillë territorial thjesht nuk ekziston. Nuk mund të jem dakort më shumë se kaq me ju, që asnjë çështje territoriale midis Greqisë dhe Shqipërisë nuk mund të ekzistojë.

Burimet që e nxisin një fantazi të tillë, që nganjëherë gjejnë vend në cepat e skajshëm të skenave tona politike, kërcënojnë shtrembërimin e së vërtetës dhe minimin e të ardhmes.

Pra, duhet që të gjithë të kuptojnë qartë se për aq sa na takon ne në Shqipëri “çështja çame” sigurisht ekziston, por vetëm si çështje themelore e të drejtave të bashkëpatriotëve tanë shqiptarë të cilët dikur jetonin në vendin tuaj. Dhe asgjë më tepër.

Sinqerisht nuk besoj se cilido njeri i mençur do të ishte në kundërshtim me qëndrimin tonë, që ata njerëz të gëzojnë të drejtën të udhëtojnë dhe të vizitojnë Greqinë ose që ata apo fëmijët e tyre, të kenë mundësinë për të fituar të drejtat e tyre mbi pasurinë në rrugë ligjore, ashtu sikurse krejt natyrshëm e gëzon këtë të drejtë çdo qytetar evropian vepron.

A mund ta imagjinoni dot sot, në Evropën e shekullit të 21-të, që njerëz në moshë të thyer, burra dhe gra në Shqipëri, e kanë të ndaluar të kalojnë kufirin e Greqisë fqinje, sepse rrënjët e tyre janë nga një rajon i vendit tuaj?

E njëjta gjë edhe për absurditetin e ruajtjes së Ligjit të Luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë, një fantazëm e gjallë e së shkuarës që qëndron midis nesh, pasojat ligjore të të cilit krijojnë pengesa të padurueshme për qytetarët që përmenda më lart, por edhe për shumë të tjerë.

Sa afër jemi me përcaktimin e kufirit detar midis Greqisë dhe Shqipërisë?

Jam shumë i kënaqur që ndërsa kemi rënë dakord, të ulemi në tryezë së bashku dhe të diskutojmë, me zemër dhe mendje të hapur, ashtu sikurse bëjnë njerëzit tanë që jetojnë si fqinj, si në Shqipëri apo në Greqi, jo vetëm që mund të zgjidhim çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptim të së shkuarës, por mundet gjithashtu të gjejmë zgjidhjet më të mira për të ardhmen tonë të përbashkët. Dhe po, jemi pranë një marrëveshjeje për kufirin detar, e cila do të jetë e drejtë edhe për Shqipërinë edhe për Greqinë.

Të martën, BE-ja do të celë diskutimet për zgjerimin e saj drejt vendeve të Ballkanit. Çfarë dëshironi të dëgjoni nga BE?

Sot, BE-ja ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për BE-në. Kushdo që nuk e beson këtë, nuk e kupton në realitet rëndësinë e Ballkanit për paqen dhe stabilitetin në Evropë.

Unë dëshiroj të dëgjoj nga Këshilli Evropian një strategji të qartë për bashkimin e Ballkanit me Bashkimin Evropian, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Në një periudhë ndryshimesh kaq të rëndësishme në botë, kemi nevojë për një BE me strategji, me rol udhëheqës, e përkushtuar ndaj vizionit dhe vlerave të saj, jo e udhëhequr nga takticizmat dritëshkurtër dhe vendimet me synime politike afatshkurtra.

Shqipëria ka të drejtën e një rekomandimi të drejtëpërdrejtë që të hapë negociatat për anëtarësim, dhe nuk pres asgjë më pak nga Komisioni Evropian si fillim dhe nga Këshilli pak më vonë.

Qeveria greke është duke u përballur dhe me zgjidhjen e çështjes së emrit të FYROM. Cili është mendimi juaj për këtë temë?

Ka ardhur koha të zgjidhet kjo çështje, dhe ku ka vullnet gjithmonë ka edhe rrugë. Greqia ka kaluar kohë të vështira për shkak të një krize të dhimbshme, e cila pati si efekt anësor që të mbajë të vetmin shtet anëtar të BE-së në rajonin tonë, larg nga zhvillimet dhe përpjekjet e viteve të fundit në rajon.

Por, falë dëshirës së fortë politike për të luftuar me reforma të dhimbshme dhe masa të vështira, duket se vendi juaj e ka gjetur rrugën e tij dhe po rikthehet në politikën rajonale. Ky është një lajm i shkëlqyer për të gjithë ne në rajon.

Zgjidhja e çështjes së emrit është në interes të të gjithëve dhe në interesin më të mirë të vendit tuaj gjithashtu. Një Maqedoni (sido që të quhet në bazë të marrëveshjes) stabël, demokratike dhe e begatë, është e rëndësishme për të ardhmen e popujve të saj, të rajonit dhe të Greqisë po ashtu. Shpresoj të mbizotërojë vizioni strategjik dhe vendosmëria për zgjidhjen e kësaj çështje, pasi taktikat e politikave dritëshkurtra, nuk udhëheqin dot drejt një të ardhmeje ku të dyja palët t’i gëzohen lirive e të drejtave të tyre.

*Botuar në faqen e parë të gazetës Ta Nea_06.02.2018