Transmetuar më 09-02-2018, 13:29

Artistët kanë paralajmëruar se do të hidhen në protestë dhe grevë, pasi idesë se Teatri Kombëtar do zhvendoset te “Turbina” dhe së në truallin e tij mund të ndërtohet një teatër i ri.

Një projektligj i Ministrisë së Kulturës që ka të bëjë me artin, ka sjell reagimin kritik të artistëve.

Në një takim të mbajtur mbrëmjen e së enjtes, aktorë, skenaristë e regjisorë, kundërshtuan amendimet e bëra në ligjin “Për artin dhe kulturën”.

Artistët të bashkuar nën Sindikatën e Artistëve të Skenës dhe Ekranit, gjatë mbledhjes së hapur për mediat, kundërshtuan zhvendosjen sipas tyre jotransparente të trupës së Teatrit Kombëtar tek Teatri “Turbina”.

Aktori Robert Ndrenika deklaroi se shumë vite më parë, edhe Partia e Punës thoshte që do bënte një teatër, i cili nuk u bë.

Ai shtoi se edhe këto 27 vjet, është folur që do të bëhet një teatër dhe prapë nuk ka pasur pikë transparence.

“Di që prona juaj, Teatri Kombëtar, është në një sipërfaqe prej 6-7 metra katrorë. Ajo është pronë e jona, e juaja dhe ish-të vjetërve. Kjo pronë gjatë viteve të demokracisë është vjedhur pjesërisht. Torre Drin ka ardhur në rrëzë të skenës. Ajo duhet të mbante distancë 10 metra. Kur të ndërtohet i ashtuquajturi teatër, ne duhet të tërhiqemi. Kjo është vjedhja e parë. Të gjitha dyqanet që janë ndërtuar pas kanë qenë pronë e teatrit. Vit pas viti ato janë privatizuar dhe tani privatët do të ndërtojnë kulla dhe aneks të jetë edhe teatri. Pra, vazhdon një vjedhje, sheshit. E kam thënë dhe e them, që të gjitha kryeqytetet e Ballkanit, që i kam parë, kanë teatro kombëtare, godina dhe infrastrukturë të mrekullueshme. Teatri ndërtohet një herë në 500 vjet”, u shpreh Ndrenika.

Ai deklaroi më tej se këtu po ndërtohen xhamira e kisha dhe s’po ngrihet një teatër.

“Atë “Turbinën” e pashë me miq, ajo është qesharake. Për teatër ajo nuk bën. Ajo është vetëm për ndonjë fushatë elektorale, në fund, prandaj ajo fjala që i thashë ministreshës, që do shtrihem para teatrit dhe që më ironizoi duke më thënë të vijë të shtrihet, të interpretojë tek “Turbina”, paska qenë me vend. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër, pa marrë vesh se çfarë do të bëhet në të”, tha aktori, duke paralajmëruar që Opera të mos guxojë të afrohet.

Duke e cilësuar “ministreshë” Mirela Kumbaron, aktori kujtoi se i ka kërkuar një herë ca para për të bërë një lapidar për “Kujtim Spahivoglin”, një nismë e ish-nxënësve të tij, atje ku la kockat, në Mbrostar dhe kujtoi se mori si përgjigje, “Nuk kam, na i kanë vjedhur qeveria paraardhëse”.

Sipas tij, Tiranës i takon të ketë një teatër serioz dramatik.

Nga ana e tij Mehdi Malkaj deklaroi se “Ne vetë duhet të kuptojmë se nuk jemi skllevër. Ata na trajtojnë si skllevër. Nguleni në kokë këtë, ne nuk jemi skllevër. Ne jemi vlerë kombëtare. Ata na marrin edhe na nxjerrin përjashta. Përse? Se nuk kemi gojë, se nuk kemi personalitet”.

Reagon Kumbaro: Projektligji është nxjerrë për konsultim

Nga qyteti i Korçës, ministrja Mirela Kumbaro ka reaguar pas protestave të artistëve për ligjin për Artin dhe Kulturën, ku deklaroi se do të ketë një takim me ta.

Ajo deklaroi se është ndërmarrë një nismë ligjore që vjen si pasojë e kërkesave jo vetëm të artistëve por edhe të institucioneve kulturore, qendrore por edhe vendore, për të krijuar mekanizma për organizimin e projekteve kulturore të cilat sot edhe për gjëra të vogla siç janë rekuizitat apo veshjet duhet të kalojnë në disa procedura burokratike të prokurimit, të cilat përpos të tjerash krijojnë edhe pengesë për krijimtarinë artistike.

Sipas saj, ligji aktual për artin dhe kulturën që është ai i vitit 2010 ka krijuar një mekanizëm lehtësimi për projektet kulturore që përjashton nga prokurimi nëpërmjet formulës së kolegjiumeve vetëm për Ministrinë e Kulturës.

Ministrja deklaroi se është gjykuar që ky mekanizëm duhet të përhapet edhe tek institucione të tjera me qëllim decentralizimin dhe nxitjen e financuesve të tjerë për mbështetjen e aktiviteteve kulturore.

Kumbaro tha se projektligjin është nxjerrë për konsultim publik, në faqen e Ministrisë së Kulturës, u është dërguar me email tek të gjithë aktorët dhe grupet e interesit.

“Sot ka bashki që i djegin fondet për kulturën sepse nuk dinë si të procedojnë me këto labirinthe burokratike. I kemi ftuar të gjithë që të japin sugjerimet e tyre në lidhje me draftin që kemi propozuar dhe kjo është faza e konsultimit. Dua të theksoj se përveç disave të cilet e kanë lexuar ende nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga drejtuesit vendorë apo subjekte të tjerë të interesuar”, deklaroi ministrja.

Ajo shtoi se është njohur nga mediat jam njohur me disa organizime të artistëve por besoj se mbasi të takohemi do sqarohemi të gjithë.

“Kemi parashikuar javën që vjen një tryezë për këtë draft dhe nëse ka kërkesa për tryeza të tjera jemi të gatshëm për ti diskutuar dhe shpjeguar draftin i cili nuk është lexuar dhe ka keqkuptime. Duhet ti takoj artistët pasi para se të kuptojmë çfarë kërkojnë, duhet të kuptojnë ata çfarë ofron drafti”, deklaroi Kumbaro.

Lidhur me deklaratën e Robert Ndrenikës u shpreh se duhet të flasë me të.

Ajo sqaroi se edhe salla e teatrit do jetë funksionale për artistët, deri kur të vijë projekti i ri.

“Po mbarojnë punimet në qendrën e artit e pagëzuar me emrin Turbina. Salla aktuale e teatrit do të vazhdojë të jetë funksionale edhe për trupën e teatrit edhe për trupa të tjera.  Teatri Kombëtar do vazhdojë të jetë në funksion deri ditën që do të na vijë projekti por trupa e tij do zhvendoset në një mjedis shumë komod dhe ne këtë gjë e kemi dakordësuar më herët me artistët”, deklaroi Kumbaro. /a.y/noa.al