Transmetuar më 10-02-2018, 10:20

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, denoncon situatën e bizneseve në vend.

Ai thotë se 1747 biznese mbyllën qepenat për të mos i hapur më, duke bërë me dije se kjo shifër zyrtare, është vetëm për janarin që sapo kaloi. Një përkeqësim sipas tij, prej 35% krahasuar me një vit më parë.

“1747 biznese që nuk munden më”, shkruan Basha në një postim të kësaj të shtune Facebook, ku publikon dhe një grafik.

Ai fton qytetarët që të zgjedhin vetë se kujt ti besojnë “dokrrave që predikon Edi Rama për rritje dhe mirëqenie, apo vendimit të dhimbshëm që kanë marrë në janar 1747 biznese për të mos ushtruar aktivitetin, për shkak të taksave të larta, agresionit qeveritar, rënies së konsumit dhe mungesës së perspektivës”.

Lulzim Basha shton se janë 1747 biznese vetëm në janar, që nuk munden më, duke i cilësuar si ekonominë reale dhe dëshminë kritike për krizën e rëndë.

“Janë klithma urgjente për ndryshim të thellë politik dhe ekonomik”, shkruan në mbyllje kryedemokrati. /a.y/noa.al