Transmetuar më 12-02-2018, 17:33

Një grup prej 12 personash, mes tyre edhe shqiptarë, janë arrestuar nga policia greke me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit.

Në vijimësi të operacionit, veç të ndaluarve, janë shpallur në kërkim policor edhe tetë persona të tjerë.

Në bazë të hetimeve të deritanishme, grupi i strukturuar kishte rreth dy vite që funksiononte në rekrutimin e vajzave nga Shqipëria dhe Rumania.

Këto të fundit shfrytëzoheshin për prostitucion, të “detyruara” edhe si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike.

Nëpërmjet web site-ve të ndryshme që kishte krijuar, grupi reklamonte “shërbimet” e femrave, dhe pastaj klientët i mbyllnin takimet duke telefonuar në një “call center” që funksiononte në lagjen Kalithea.

Hetimet zbuluan se në mesin e të shfrytëzuarave ishte edhe një e mitur nga Bullgaria, e cila po merr trajtim në një qendër për viktimat e trafikut të qenieve njerëzore.

Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar një shumë parash prej 63.830 euro, 800 dollarë, kompjutera, 96 telefona celularë dhe një numër i madh shënimesh që hedhin dritë në funksionimin e kësaj veprimtarie kriminale. /k.k/noa.al/