Transmetuar më 14-02-2018, 09:57

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e mbrëmshme e ndodhur në qytetin e Shkodrës, ku garazhi i shtetasit Sadetin Kiri është shpërthyer me tritol.

Sipas burimeve policore të Shkodrës, nga shpërthimi në garazhin e 62 vjeçarit nuk ka pasur të lënduar në njerëz përveç dëmeve materiale.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:50, në lagjen Salo Halili, ku lënda plasëse është vendosur në qepenin e garazhit të banesës tre katërshe të Sadetin Kirit.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë ku nga verifikimet e para rezulton se shkak i  kësaj ngjarje janë konfliktet për shkak të borxheve që i biri i 62 vjeçarit, Fatjon Kiri, 29 vjeç u ka personave të ndryshëm.

Policia ka marrë pamjet filmike të kamerave të sigurisë të bizneseve aty pranë dhe deri më tani ka shoqëruar 8 persona të ndryshëm si të dyshuar për ngjarjen.

Policia dhe grupi hetimor vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes. /b.l/noa.al/