Transmetuar më 14-02-2018, 10:58

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka qenë e ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin Top Show në TCh, ku është përballur me artistët. Ministrja u përplas ashpër me artistët Arben Derhemi, Altin Basha, Genc Fuga, Gëzim Kame dhe Robert Budina.

Ministrja Kumbaro iu përgjigj se nga një analizë e bërë për Teatrin Kombëtar është vënë re se ajo godinë e ndërtuar nga italianët nuk i përmbush sot asnjë nga kushtet.

“Raportet e inspektimeve që kemi bërë në Teatrin Kombëtar na çuan në konkluzionin se nuk ia vlen që në atë godinë të shpenzohet asnjë para për rikonstruksionin, sepse është një godinë shumë e vjetër, e ndërtuar për një periudhë të shkurtër kohore. Prandaj, vendosëm që në këtë truall do të ndërtohet një Teatër Kombëtar dinjitoz. Më lejoni ta them dhe e regjistroni, ideja jonë është që të ndërtohet një Teatër i mirëfilltë kombëtar në këtë zonë.

Pra, është diskutuar që qeveria dhe Bashkia e Tiranës, të parashikojnë në të njëjtin truall ku ndodhet sot Teatri Kombëtar, të ndërtohet një teatër i ri. Nuk ka ende një projekt dhe një afat konkret për ta bërë këtë, sepse jemi ende në diskutime dhe studime. Unë ju garantoj se ambienti i Teatrit Kombëtar do të jetë Teatër Kombëtar, pa kulla”, tha Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Nga ana e tij aktori Arben Derhemi tha se trupa e artistëve nuk do të lejojë zhvendosjen e Teatrit Kombëtar. “Rripi i Teatrit Kombëtar është hequr nga harta historike e Tiranës. Ne do të dalim nga ai Teatër kur të kaloni mbi trupat tanë”, tha ai.