Transmetuar më 14-02-2018, 14:06

Bota ka parë shumë histori dashurie, por vetëm disa prej tyre janë kthyer në legjenda të përjetshme, janë gdhendur në libra e përjetësuar në projekte kinematografike. Disa nga këto çifte të dashuruarish janë përballur me refuzimin e të afërmve të tyre, të cilët s’kanë miratuar lidhjen e dashurisë, ndërsa të tjerë thjesht kanë jetuar një histori që ka zgjatur deri në ditët e fundit të jetës së tyre.

Shën Valentini

Historia e Shën Valentinit është e mbështjellë me mister. Një legjendë thotë se Valentini ishte një prift, i cili shërbente gjatë shekullit të tretë në Romë. Bëhet fjalë për kohën kur perandori Klaudius II vendosi që të nxirrte jashtë ligjit martesën për meshkujt e rinj, pasi mendonte se të pamartuarit ishin ushtarë më të zotët. Valentini, i cili e konsideronte padrejtësi një gjë të tillë, celebronte në fshehtësi martesat e të rinjve të dashuruar. Kur Klaudius e zbuloi një gjë të tillë, ai urdhëroi që Valentini të dënohej me vdekje. Sipas historive të tjera, Valentini mund të jetë vrarë ndërsa ndihmonte të krishterët të arratiseshin nga burgjet romake ku ata torturoheshin. Sipas një legjende tjetër, Valentini ia dërgoi përshëndetjen e parë vetes së tij. Ndërsa ishte në burg mendohet se Valentini u dashurua me një vajzë të re, e cila mund të ketë qenë e bija e rojës së burgut, e cila e vizitonte shpeshherë. Përpara se të vdiste mendohet se ai mund t’i ketë lenë asaj një letër me firmën “Nga Valentini yt”.

Mark Antoni dhe Kleopatra. Faraonia e Egjiptit dhe gjenerali romak

Historia e dashurisë së faraones së fundit të Egjiptit dhe gjeneralit të pashëm romak skandalizoi gjithë shoqërinë romake dhe politikanët romakë. Ata u martuan, por dashuria e tyre nuk pati fund të lumtur. Pavarësisht të gjitha rreziqeve, Mark Antoni dhe Kleopatra u martuan në vitin 36 Para Krishtit. Në vitin 31 para Krishtit, kur Mark Antoni dëgjoi në fushën e betejës lajmin e rremë se Kleopatra kishte vdekur, ai ra mbi shpatën e tij. E mbetur pa shpresë, Kleopatra vrau veten duke përdorur një gjarpër helmues.

Marie dhe Pier Kurie, partnerë në dashuri dhe në shkencë

Marie kalonte çdo minutë kohë të lirë duke studiuar në laborator. Kështu ajo i ra në sy Pier Kurie, i cili ishte drejtori i një prej laboratorëve ku ajo punonte. Ai i bëri asaj propozime të shumta martese deri sa ajo pranoi. Ata u martuan më në fund, në vitin 1895 dhe filluan kështu lidhjen e tyre të famshme. Tre vite më vonë ato zbuluan poloniumin dhe radiumin. Në vitin 1903 fituan çmimin Nobel. Kur Pier vdiq në vitin 1904, Marie vazhdoi punën e tyre të përbashkët duke u bërë dhe mësuesja e parë femër në Sorbonë.

Alfred Lunt dhe Lin Fontan, çifti që “mbretëroi” 55 vite në Broduei

Lunt dhe Fontan u shfaqën në pjesën e parë teatrore së bashku, në vitin 1919. Ata u martuan tre vite më vonë. Rrallë ka ndodhur që një histori dashurie teatrale të zgjasë aq shumë ose të ketë një triumf të tillë. Për 55 vite ata ishin të pandashëm nga njëri tjetri. Ata shkëlqyen në Broduei me rolet e tyre në komeditë e sofistikuara të Xhorxh Bernard Shout, Terenc Ratigan dhe Noel Kouard, vepra madhore e të cilit, “Design for living” ishte krijuar enkas për ata të dy. Alfred dhe Lin u larguan nga skena në vitin 1958.

Viktoria dhe Alberti, mbretëresha angleze që vajtoi bashkëshortin për 41 vite

Mbretëresha Viktoria dhe Princi Albert u martuan më 1840. Çifti pati nëntë fëmijë dhe Viktoria ishte shumë e dashuruar pas bashkëshortit të saj. Kur Alberti vdiq më 1861 ajo nuk u shfaq në publik për tre vjet rresht. Izolimi i saj i gjatë shkaktoi kritika publike. Sidoqoftë, nën influencën e kryeministrit Benxhamin Disraeli, Viktoria iu rikthye jetës publike në vitin 1866. Por Viktora, s’reshti kurrë së vajtuari për princin e saj të dashur, duke u veshur me të zeza deri në fund të jetës.

Xhon Alden dhe Prishila Mullins, një prej romancave të para të kolonive në SHBA

Historia e tyre ishte një nga romancat e para në kolonitë amerikane. Historia e tyre e dashurisë është e përjetësuar në një poemë të vitit 1858 të Henry Longfellou. Sipas poemës, Alden u njoh me Mullins, kur kapiteni i tij e dërgoi atë t’i thoshte vajzës së bukur se kishte rënë në dashuri me të. Mirëpo Alden dhe Mullins u dashuruan bashkë, megjithëse nuk mund ta shprehnin nga frika se mos fyenin kapitenin. Së fundmi ata u martuan, lindën 11 fëmijë.

Shah Jahan dhe Mumtaz Mahal, perandori që ndërtoi Taxh Mahalin për gruan e tij

Perandori Shah Jahan ishte i dashuruar marrëzisht pas gruas së tij 15-vjeçare, Mumtaz Mahal. Ajo i dhuroi atij 14 fëmijë dhe u bë gruaja e tij e preferuar. Pas vdekjes së saj në 1629, perandori që mbajti zi për një kohë të gjatë për gruan e tij të dashur, vendosi të ndërtonte në nder të saj një monument. U deshën 20 mijë punëtorë, një mijë elefantë dhe rreth 20 vite për përfundimin e monumentit, i cili sot është një destinacion i preferuar i turistëve, Taxh Mahali. Kur Shah Jahan vdiq, e varrosën përkrah gruas së tij në Taxh Mahal.

Abelardi dhe Heloiza, dashuria e një murgu e murgeshe që jetoi ndër shekuj

Historia tragjike e Abelardit dhe Heloziës ka jetuar ndër shekuj. Rreth vitit 1100, Peter Abelard shkoi në Paris të studionte në shkollën “Notre Dame”. Ai fitoi shpejt reputacionin si filozof i shquar. Kur meshtari i “Notre Dame” e punësoi atë t’i jepte mësim mbesës së tij, Heloizës, ai u dashurua marrëzisht me mbesën e punëdhënësit të tij, Heloizën me të cilën pati dhe një fëmijë. Mirëpo pasi u mor vesh një gjë e tillë, Heloizën e mbyllën në një kuvend dhe Abelardi vendosi të bëhej murg. Ata vazhduan ta donin njëri tjetrin dhe letrat e tyre janë botuar më vonë.