Transmetuar më 16-02-2018, 07:36

Maks Velo ka deklaruar gjatë një takimi se ndjehej i tronditur pasi vetëm disa ditë më parë kishte marrë dosjen e tij nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit ku kishte zbuluar se e kishte spiunuar vjehrra dhe shoku i ngushtë.

“Këto ditë kam qenë shumë i tronditur, sepse mora nga Autoriteti i Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, dosjen time. Kisha 6 muaj që e kërkoja dhe mora dosjen me rreth 250 faqe. Jam tronditur. Nuk fle natën. Nuk e dija që paskemi qenë kaq të poshtër.

Shoku im i ngushtë Llabi Blido ka bërë 27 denoncime për mua. Madje ka ardhur edhe për të regjistruar në shtëpi. Poshtërsia më e madhe ishte që atë e kanë përdorur edhe pasi më kishin futur në burg. Shkonte në shtëpi për të mësuar se çfarë thoshin prindërit e mi. Imagjinoni ai ishte dhe piktor, punonte në ministri dhe ka shkruar më vonë për modernizmin”, tha Velo.

Gjithashtu, Velo ka lexuar dy faqe të shkëputura nga dosja. “Gjatë burgut jam zënë dy herë. Një herë në galeri me një kuksian që donte të më digjte në furnelë, por që nuk është e dokumentuar, kurse kjo është e dokumentar”, tha Velo duke treguar dokumentin e mbajtur më 14.07.1982.

“Në rajonin e banimit nga ora 22:00, në kohën që ishte bërë pushimi, I dënuari Skënder Vreto flinte gjumë në krevatin e tij. Në këtë kohë shkon i dënuari Maksim Velo tek krevati për të fjetur gjumë. I dënuari Skënder gjatë kohës së gjumit kishte hedhur batanijen dhe çarçafin në krevatin e Maks Velos, si dhe krahun përmbi krevat. I dënuari Maksim Velo, duke mos e zgjuar të dënuarin Skënder, i kap krahun dhe ia hedh në fytyrë të dënuarit. Atëherë ky zgjohet dhe kapen duke u shtyrë me duar me njëri-tjetrin. Gjatë kapjes nuk kanë ndonjë plagë. Shkaktar për këtë është i dënuari maksim Velo, sepse duhet ta kishte zgjuar nga gjumi të dënuarin Skënder Ndreu dhe nuk do kishin përfunduar në grindje me njëri-tjetrin. Që të dy të dënuarit të thirren dhe të këshillohen. Të dënohen me vërejtje të dy të dënuarit”, lexoi Velo nga relacioni, shkruan Pamfleti. Por Velo, shprehet se ndër dokumentet që ka gjetur është edhe ajo që vërteton që nuk ka pranuar të bëhej bashkëpunëtori sigurimit të shtetit.

“Unë operative Pëllumb Sinoimeri, bashkë me shefin e seksionit Nuro Sako, në datën 8.01.1986 shkuam në kampin e riedukimit të Gurthit, të rrethit të Mirditës, për të tërhequr në bashkëpunim sekret me bazë vullnetare, të dënuarin për agjitacion dhe propagandë armiqësore, Maksim Velo, i cili lirohet nga burgu me amnistinë e datës 13.01. fillimisht me të u bënë biseda të karakterit familjar dhe jetën e tij në burg, kandidati fillimisht reagoi pozitivisht, na falënderoi për trajtimin e mirë që i ishte bërë në burg dhe për punën e tij të bërë atje.

Pas kësaj u fol në lidhje me masën e dënimit të tij, për luftën e klasave dhe punën që bëjnë organet tona për zbulimin e veprimtarisë armiqësore de keqbërëse me ndihmën që jep populli, këtyre organeve. Pasi dëgjoi bisedat që u bënë, Maksi u shpreh se unë për veten time e quaj dënimin tim të padrejtë. Sepse jam dënuar mbi bazë shpifjesh, por një gjë kam pasur unë, kam qenë I prirë pas artit modernist dhe filloi të na shpjegojë si ishte dënuar. Pas kësaj, tha: unë e kuptoj se përse keni ardhur ju dhe çfarë doni nga mua. Ju doni që unë të bashkëpunoj me organet e Sigurimit të Shtetit. Këtë propozim ma kanë

bërë edhe herë të tjera kur kam qenë i lirë, shokët e Drejtorisë së Tiranës, por unë nuk e kam pranuar, se nuk jam dot në gjendje të bëj punën e spiunit”, lexoi Velo para të rinjve në aktivitetin e zhvilluar.