Transmetuar më 16-02-2018, 12:22

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale del me deklaratë lidhur me personat që përfitonin nga ndihma ekonomike të gjithë ata persona që e përfitonin në mënyrë të padrejtë

Zëvendës ministrja Bardhylka Kospiri, në një dalje për mediat, deklaroi se është mbyllur faza e parë, duke lënë jashtë skeme abuzuesit.

“Me 4 makina apo page 1.5 milionë dhe përfitonin ndihmë ekonomike. Familjet që nuk plotësojnë kriteret të riaplikojnë në Bashki. Jemi në fazën kur ka përfunduar vlerësimi i parë i aplikuesve në skemën e ndihmës ekonomike, e cila po shtrihet në të gjitha qarqet e vendit. Kjo skemë e re garanton që pagesa e ndihmës ekonomike shkon te familjet më në nevojë. Për herë të parë kanë patur mundësi aplikimi 18 mijë aplikues të cilët deri dje përjashtoheshin për shkak të kritereve përjashtuese të skemës së vjetër: Nëse ndryshoje vendbanim nga një zone në tjetrën nuk e merrje ndihmën ekonomike, sot ky kriter është hequr dhe këto familje po përfshihen në skemën e re”, u shpreh Kosopiri.

Ajo tha se sistemi i ri është transparent dhe se kjo skemë funksionon përmes regjistrit elektronik, i cili duke qenë i lidhur me të gjitha sistemet online, të tatimeve, zyrës së punësimit, të hipotekave, drejtorisë së transportit, sigurimet shoqërore, etj., eleminon abuzuesit, të cilët deri dje përfitonin pa të drejtë pagesën e ndihmës ekonomike dhe numri rritej artificialisht.

Kospiri sqaroi se sistemi automatik, nxjerr jashtë abuzuesit siç janë raste me katër makina apo pagë 1.5 milionë dhe përfitonin ndihmë ekonomike.

Ajo sqaroi se këto fonde sot i përfiton një familje që deri dje merrte një pagesë minimale, edhe vetëm 1 mijë lekë, ndërsa sot merr ndihmë të plote 8 mijë lekë.

Pra me skemën e re ka vetëm ndihmë ekonomike të plotë, tha zv.ministrja dhe pas fazës së parë, ka nisur verifikimi rast pas rasti nga sistemi elektronik dhe po vijohet edhe me verifikim në terren.

Kospiri deklaroi ndër të tjera se çdo ditë po identifikohen derë më derë të gjithë ato familje që nuk janë kualifikuar në këtë fazë dhe bëri me dije se ka familje në nevojë të cilat nuk arrijnë të plotësojnë kriteret dhe nuk përfitojnë nga skema, por këto familje nuk e humbasin mbështetjen ekonomike.

Ajo shtoi se nëpërmjet rivlerësimit ato rikthehen si pjesë e skemës duke aplikuar në bashki.

“Te gjitha bashkive u është dhënë një fond prej 6% të fondit të ndihmës ekonomike për këto familje që nuk plotësuan kriteret për t’u futur në sistem. Ndaj i drejtohemi çdo familje që nuk ka fituar në këtë fazë, por që realisht është në nevojë, që të paraqiten menjëherë për aplikim pranë bashkive, të cilat duhet të përdorin fondin e vënë në dispozicion për këto raste, fond i cili tashmë është dyfishuar nga 3 në 6%”, deklaroi zv.ministrja. /a.y/noa.al