Transmetuar më 16-02-2018, 12:44

Kryeqyteti do të ketë shumë shpejt një teatër të ri modern. E ndërtuar që para Luftës së Dytë Botërore dhe në gjendje të rrënuar, godina aktuale e cila nuk ofron as kushtet minimale për aktorët e spektatorët artdashës, do t’i lërë vendin një godine të re që do të ngrihet në gjurmët e asaj ekzistuese. 

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës do të nisë ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, një hapësirë e denjë për artdashësit. 

Teksa mori pjesë në rehabilitimin e lulishtes së Akademisë së Arteve, bashkë me këngëtaren e njohur shqiptare, Elvana Gjata, dhe aktorin e shumë roleve në skenë dhe ekran, Kastriot Çaushi, kryebashkiaku Erion Veliaj sqaroi se godina e re do të jetë mbi gjurmët e atij ekzistues dhe pa kullë. 

“Do të bëjmë një propozim shumë të guximshëm për Teatrin Kombëtar, një teatër pa kullë, në gjurmën ku është sot, ekskluziv vetëm për teatrin. Por, që të bëjmë gjëra të bukura, duhet bashkëpunim, jo histeri. Na duhet të komunikojmë me njëri-tjetrin, të gjejmë mënyrën më të mirë dhe të ecim përpara”, theksoi Veliaj.

Më tej, kreu i Bashkisë apeloi që çdo qytetar do të duhet të japë ndihmën e tij për vendin dhe komunitetin ku jeton, duke kthyer mbrapsht në shenjë mirënjohje energjinë pozitive. Ndërkohë, lulishtja e Akademisë së Arteve është kthyer tashmë  jo vetëm një ambient çlodhës për studentët dhe qytetarët e Tiranës, por edhe një vend ku mund të shijohen instalacionet artistike të vendosura në të. /b.l/noa.al/