Transmetuar më 16-02-2018, 13:32

Për parandalimin e sëmundjeve të veshkave duhet të bëni rregullisht aktivitet fizik. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur me ritëm mesatar, duke vrapuar, duke lëvizur me biçikletë, etj.

Ai është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, pasi përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin.

Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak- Gjysma e njerëzve, që vuajnë nga sëmundja e sheqerit, zhvillojnë dëmtime të veshkave. Pacientët diabetikë duhet të bëjnë një kontroll të rregullt të albuminurisë, të paktën një herë në gjashtë muaj, të mbajnë në normë shifrat e glicemisë dhe të kenë kujdes me dietën.

Matni rregullisht tensionin e gjakut- Pak njerëz e dinë se tensioni i lartë i gjakut është një shkaktar i zakonshëm i dëmtimit të veshkave. Pacientët me tension të lartë gjaku duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë progresionin drejt sëmundjes kronike të veshkave.

Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani peshën nën kontroll- Ngrënia e shëndetshme parandalon diabetin, sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjet kronike të veshkave. Çdo ditë përdorni 5 porcione fruta e zarzavate, 5 porcione drithëra, pini jo më pak se 1,5 litra ujë dhe reduktoni marrjen e kripës. Rekomandohet konsumi i jo më shumë se 5-6 gram kripë në ditë./b.l/noa.al/