Transmetuar më 16-02-2018, 15:12

Një lajm i rëndësishëm tronditi dje klubin e Skënderbeut dhe opinion e futbollit shqiptar. Inspektor të UEFA-s kanë dërguar në komisionet përkatëse një raport ku kërkohet dënimi me 10 vite i klubit të Skënderbeut nga çdo kompeticion kontinental si shkak i përcaktimit të ndeshjeve.

Lidhur me këtë ka reaguar për herë të parë Federata Shqiptare e Futbollit e cila deklaron se kjo çështje i përket drejtpërdrejtë klubit anëtar Skënderbeu dhe  vetë UEFA-s.

“FSHF kërkon të informojë opinionin publik në lidhje me zhvillimet më të fundit të publikuara në shtyp për çështjen e Skënderbeut.

Gjatë ditës së djeshme, por edhe sot FSHF ka marrë informacionet e nevojshme lidhur me dokumentin e publikuar i cili është relacioni i inspektorëve  të UEFA-s drejtuar Komisionit të Disiplinës, dhe jo një vendim disiplinor. Informacione këto, të domosdoshme për të patur një qëndrim të konsultuar institucional dhe publik.

Ndonëse FSHF po e ndjek me vëmendje ecurinë e procesit disiplinor ndaj Skënderbeut, vlen të theksohet se kjo është një çështje që i përket drejtpërdrejtë klubit anëtar (Skënderbeu) dhe vetë UEFA-s”, thuhet në deklaratë.

Më tej FSHF bën me dije se do të jetë e hapur për çdo vendim disiplinor që mund të vijë në rrugë zyrtare nga trupat gjykuese të UEFA-s për rastin në fjalë. /b.l/noa.al/