Transmetuar më 17-02-2018, 12:16

Në kulmin e tensioneve mes Greqisë dhe Turqisë, mediat greke publikojnë videon e përplasjes së fortë, kur anija turke goditi anijen e rojës bregdetare greke, pas të cilave pati kërcënime mes dy vendeve.

Si shihet edhe në videon që kanë publikuar mediat greke duket momenti kur nga e majta e anijes greke vjen anija turke dhe gjatë ndryshimit të kursit e godet në pjesën fundore.

Anija greke pësoi vetëm dëme materiale, por debati që la pas ishte shumë i madh e që vazhdon të lakohet nga mediat e dy vendeve.

Incidenti ndodhi pak para mesnatës së të hënës, më 12 shkurt në Imia. Incidenti është regjistruar nga kamerat që ishin në patrullën greke.

Ky mund të konsiderohet si incidenti i parë serioz mes dy vendeve gjatë muajve të fundit pas fërkimeve të shumta në këtë zonë, një mosmarrëveshje që zgjat prej dekadash mes Turqisë dhe Greqisë, mbi ishujt e pabanuar në Egje.

Konflikt ky që i vendosi të dy vendet në prag të një konflikti të armatosur në 1996 kur Ankaraja dhe Athina dërguan forcat detare në dy ishuj fqinj si shenjë e një konfrontimi të pritshëm. Më pas të dyja vendet i tërhoqën trupat pas presionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara.