Transmetuar më 20-02-2018, 08:09

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ishte thirrur këtë të hënë nga Komisioni i Kulturës në një seancë dëgjimore për shkatërrimin e disa objekteve monument kulture si dhe për Teatrin Kombëtar.

Megjithatë pavarësisht kësaj mbledhje të paralajmëruar, Kumbaro e anuloi në momentet e fundit, pa dhënë asnjë argument.

Përballë zërave kritikë të shtuar së fundmi kundër saj, Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje ministres.

Mëngjesin e kësaj të marte ai ka publikuar një video në Facebook, të pamjeve nga ura e Shën Prodhomit në Voskopojë, ku shihet edhe Kumbaro.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga ura 300 vjeçare e Shën Prodhomit, që këtë pranverë do të restaurohet tërësisht duke krijuar bashkë me Manastirin e Shën Prodhomit dhe 4 kishat e restauruara tanimë të Voskopojës një destinacion të ri dhe të kompletuar turistik për zonën, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Ai shton se për të evituar dëmtimin e këtij monumenti kulture të kategorisë së parë nga mjetet e rënda, ura do të jetë e dedikuar vetëm për këmbësorët dhe paralelisht me të do të ndërtohet një urë e re që do të shërbejë posaçërisht për transportin e makinave. /a.y/noa.al