Transmetuar më 20-02-2018, 13:21

Pas bërjes publike të letrës dërguar ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati sa i takon “Kërkesës për autorizim negociatash me palën greke”, lidhur me negociatat me Greqinë dhe çështjen e Detit, Presidenti Ilir Meta ka dalë në konferencë për mediat.

Ai deklaroi se letra u publikua jashtë dëshirës së tij, por si angazhim për të pasur zgjidhje të drejtë dhe transparente.

Presidenti kërkoi që të bëhet transparencë nga të gjithë institucionet e shtetit, në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të dhënë në vitin 2010.

“Sjellja e Presidentit do jetë bazuar në Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku për herë të parë sqarohet roli i Presidentit për marrëveshjet ndërkombëtare dhe specifikisht për marrëveshjen detare. Kushtetuta dhe vendimi i gjykatës janë vija e kuqe për zbatim”, u shpreh Meta. Ai shtoi se kjo vijë e kuqe vlen dhe për Presidentin.

Sipas tij, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet bërë bazuar në plotëfuqinë e dhënë nga organet kompetente dhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar, duhet të kërkojnë marrjen e një plotëfuqie të re, duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës.

Meta tha se Presidenti ka autoritetin të lidhë marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues i lartë i shtetit, ose duhet të marrë vetë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes, ose të japë plotëfuqinë tek grupi negociator.

Megjithatë ai deklaroi se Presidenti nuk synon që të marrë atë rol që ja jep Gjykata Kushtetuese që të drejtojë bisedimet, duke thënë se Presidenti nuk është ekspert, por se ka për detyrë që të përmbushë të gjitha përcaktimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me kufijtë detar, draftin e marrëveshjes, metodologjinë dhe ekipin negociator.

Meta tha se Presidenti nuk mund të vihet para fakteve të kryera dhe më pas të thotë se nuk jep besimin për nënshkrimin e marrëveshjes, duke deklaruar se kreu i shtetit ka për detyrë që nga fillimi të bashkëpunojë me qeverinë për të mirën e Republikës së Shqipërisë, me synim arritjen e një marrëveshje që do i qëndrojë kohës dhe nuk do të jetë e kontestueshme. 

Ndër të tjera ai shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është "Kushtetuta" që duhet të respektojë Presidenti dhe se taktikat e mëparshme, për marrëveshje edhe më pak të rëndësishme, kanë qenë në vijim të kësaj logjike dhe konstatimi. 

Ai hoqi paralele me qëndrimet e mbajtura nga Presidentët paraardhës, lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare ku Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kanë shërbyet si udhërrëfyes.

Meta deklaroi se nuk dëshiron të bëhet bashkëfajtor, ndaj cilitdo që e lexon ndryshe Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti tha se qeveria ka të drejtën e saj të bëjë të gjitha marrëveshjet që janë në kompetencën e saj, me gjithë qeveritë e tjera, por në këtë çështje i duhet të flasë se kush është qëndrimi i Presidentit

“Deri më sot tuaj, institucioni i Presidentit nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Ministria e Jashtme lidhur me diskutimet që janë bërë me ministrinë e Jashtme të Greqisë.

Jo vetëm kaq, por i kam bërë të qartë ministrit të Jashtëm që për këtë çështje kaq të rëndësishme të ecurisë së marrëdhënieve me Greqinë, bashkëpunimi do të jetë vetëm zyrtar, për të evituar çdo lloj spekulimi apo keqkuptimi të cilitdo. Edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë informacion”, deklaroi Presidenti i Republikës.

Sipas tij, Presidenti nuk mund të vihet para faktit të kryer nga askush, duke shtuar se kreu i shtetit është në gatishmëri për të punuar 24 orë në funksion të interesit kombëtar./a.y/noa.al