Transmetuar më 20-02-2018, 14:12

Tiranë, NOA.al- Pjesa e parë e ditës mbetet me vranësira dhe reshje të përkohshme në të gjithë Shqipërinë. Mesdita por kryesisht pasditja sjellin shtim të reshjeve në zonat Jugore ndërsa Veriu dhe Qendra mbeten me reshje të përkohshme. Në mbrëmje dhe gjatë natës reshjet intensifikohen në të gjithë territorin shqiptar.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit vijojnë konstante gjatë mëngjesit por rritje të lehtë sjellin orët e mesditës. Era do të fryjë mesatare, me shpejtësi 45 km/h nga drejtimi Juglindor ndërsa në det pritet të vijojë dallgëzimi deri 3 ballë.

Europa

Mesdheu dhe Europa Juglindore vijojnë me vranësira të dendura dhe reshje të konsiderueshme shiu dhe dëbore. Po ashtu, vranësira të shpeshta por reshje të përkohshme dëbore dominojnë motin në Alpet Europiane.

Por pjesa më e madhe e Europës paraqitet në kushtet e kthjellimeve me vranësira të herë pas hershme. /a.y/noa.al