Transmetuar më 20-02-2018, 14:45

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e drejtuar nga Ditmir Bushati, reagon ndaj publikimit të letrës nga ana e Presidentit Ilir Meta, në të cilën thuhej se kërkesa për autorizim për negociata me Greqinë, nuk është e qartë.

MEPJ thotë se po shqyrton letrën e Presidentit të Republikës, në përgjigje të kërkesës së dërguar prej saj, për lëshimin e autorizmit për fillimin e negociatave me palën greke për delimitimin e hapësirave detare mes dy vendeve.

Në vijim thuhet se çështjeve të ngritura nga Presidenti i Republikës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t’u përgjigjet në rrugë institucionale.

Sikundër nënvizohet se ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme është i angazhuar për të vijuar bisedimet e konsultimet e nisura me Presidentin e Republikës për të gjitha çështjet me interes për këtë proces.

“Procesi i nisur me Greqinë është kompleks, ndaj kërkon qetësi, maturi, institucionalizëm dhe jo projektimin e një anormaliteti që nuk ekziston”, thuhet në mbyllje të qëndrimit.

Më herët në një dalje për mediat ditën e sotme, Presidenti deklaroi se sjellja e Presidentit do jetë bazuar në Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kushtetuta dhe vendimi i gjykatës janë vija e kuqe për zbatim”, u shpreh Meta, duke thënë se kjo vijë e kuqe vlen dhe për Presidentin.

Meta tha se Presidenti ka autoritetin të lidhë marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues i lartë i shtetit, ose duhet të marrë vetë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes, ose të japë plotëfuqinë tek grupi negociator.

Megjithatë ai deklaroi se Presidenti nuk synon që të marrë atë rol që ja jep Gjykata Kushtetuese që të drejtojë bisedimet, duke thënë se Presidenti nuk është ekspert, por se ka për detyrë që të përmbushë të gjitha përcaktimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me kufijtë detar, draftin e marrëveshjes, metodologjinë dhe ekipin negociator.

Meta tha se Presidenti nuk mund të vihet para fakteve të kryera dhe më pas të thotë se nuk jep besimin për nënshkrimin e marrëveshjes, duke deklaruar se kreu i shtetit ka për detyrë që nga fillimi të bashkëpunojë me qeverinë për të mirën e Republikës së Shqipërisë, me synim arritjen e një marrëveshje që do i qëndrojë kohës dhe nuk do të jetë e kontestueshme. /a.y/noa.al

Negociatat me Greqinë, Meta flet për vija të kuqe: Presidenti s’mund të vihet para faktit të kryer

Autorizim për negociata me Greqinë, Meta publikon letrën: Kërkesa s’është e qartë