Transmetuar më 21-02-2018, 08:22

Dy persona janë kapur mat teksa lëviznin me makinë me tre mina me telekomandë, fitil zjarrpërcjellës dhe drogë me vete.

Pasditen e djeshme, e martë, policia e Lezhës kurorëzoi operacionin e koduar “Goes on” (Vazhdon), gjatë të cilit u arrestuan Artur Popa, 46 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Valias, Kamëz, i dënuar më parë.

Arrestimi i tij u bë për veprën penale të “Trafikimit të armëve”, “Mbajtjes së bombave dhe minave me telekomandë në mjedise publike” dhe “Prodhim shitje të narkotikëve”.

Krahas tij u arrestua Valtor Cala, 30 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, për veprën penale të “Trafikimit të armëve”, si dhe u shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorët e tyre ku për shkak të hetimit nuk jepen të tjera të dhëna për ta.

Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative si rezultat i një pune disa javore me metoda speciale të hetimit u arrit të dokumentohej aktiviteti i tyre kriminal.

Artur Popa me automjetin e tij me targë AA 811 GF , i shoqëruar nga automjeti tjetër me targë AA 733 DM, që drejtohej nga shtetasi Valtor Cala,  transportonte 3tre mina me telekomandë ku në hyrje të qytetit të Lezhës, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë duke kapur në flagrancë të të dyshuarit.

Gjithashtu gjatë kontrollit Popës ju gjet dhe një sasi prej 55 gramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa e ngjashme me atë të vajit të hashashit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga grupi hetimor u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë të pajisura me telefon për shpërthim në distancë, 55 gramë lëndë narkotike e ngjashme me atë të vajit të hashashit, 14 telefona celularë, dy automjete, 3 fitila si ato zjarrpërcjellës dhe një çantë ku ishin futur minat.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Mbajtja e bombave dhe minave me telekomandë në mjedise publike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al