Transmetuar më 21-02-2018, 12:21

Gjatë kësaj të mërkure është rënduar edhe më tepër tragjedia e ndodhur mbrëmjen e së dielës në familjen Preka në qytetin e Shkodrës, pasi ka ndërruar jetë ditën e sotme edhe e vogla Noemi, në moshën 10-vjeçare.

Noemi po mbahej në jetë falë aparaturave në qytetin e Shkodrës, ndërsa ditën e sotme nuk ka mundur t’i rezistojë plagëve të shumta të marra, duke e çuar në katër numrin e viktimave në familjen Preka.

Gjatë ditës së djeshme u përcollën për në banesën e fundit tre anëtarët e tjerë të kësaj familje, babai, Edmond Preka, si dhe dy fëmijët e tij, djali në moshën 8 muajsh dhe vajza tjetër, 5-vjeçe.

Para se të ndërronte jetë, ka qenë halla e fëmijëve,Valentina Preka, ajo që ka bërë lutjen e madhe që Noemi e vogël të shpëtonte dhe ka dashur të ndajë në rrjetet sociale dhimbjen e saj.

Ajo ka publikuar me zemrën e copëtuar, foto nga momenti kur arkivolet me trupat e tre viktimave janë vendosur në mes të shtëpisë.

Në foto shihen Edmondi dhe i vogli 8-muajsh, të veshur dhëndërr, si dhe vajza 5-vjeçe, e veshur si nuse. Ata janë me dëmtime të shumta në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë edhe fytyrën.

E vetmja që mundi t’i mbijetonte aksidentit fatal ishte Evisa Preka, bashkëshortja e Edmondit dhe nëna e tre fëmijëve.

Evisa ndodhet ende në spital, por nuk është në dijeni të tragjedisë që i ka ndodhur. Ajo nuk ka qenë e pranishme në varrimin e tre njerëzve më të dashur të jetës, e ndoshta, nuk do të jetë as në përcjelljen e Noemit.

Ngjarja

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e të dielës në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, ku u përplasën një makinë tip ‘Alfa Romeo’ me targa AA474NJ me drejtues Edmond Preka 40 vjeç, me mjetin ‘Fuoristradë’ me targa AA 292 OL.

Por si pasojë e përplasjes gjeti vdekjen Edmond Preka, vajza e tij Ajsel 5 vjeçe dhe djali Rajan vetëm 9 muajsh dhe ditën e sotme ka ndërruar jetë edhe vajza 10 vjeçe.

Rrethanat e këtij aksidenti të ndodhur në një rrugë pa ndriçim janë ende të paqarta, por duket se përplasja ka qenë aq e fortë sa e ka bërë të pamundur shpëtimin e tre të miturve dhe kryefamiljarit të familjes Preka.

Ndërkohë dyshohet se ka qenë parakalimi i gabuar i njërës prej makinave, që i ka marrë jetën babait dhe tre fëmijëve./b.l/noa.al/