Transmetuar më 21-02-2018, 14:07

Policia e Vlorës del me deklaratë lidhur me sekuestrimin e lëndës narkotike të bërë gjatë ditës së sotme, ku u arrestua një biznesmen dhe punonjësi i tij.

Të arrestuarit janë Shahin Zanaj, 60 vjeç dhe Kristaq Derraj, 26 vjeç, banues në Vlorë.

Arrestimi i tyre u bë pasi iu sekuestruan sasi të konsiderueshme të vajit të hashashit dhe hashash të formësuar si çokollatë dhe pluhur.

Sasitë e kapura nga policia janë 49.7 litra vaj hashashi; 17.5 kg hashash në formë çokollate; 13.4 kg hashash në formë pluhuri;  pajisje, të cilat shërbenin për prodhimin dhe përpunimin e vajit të hashashit dhe katër automjete.

Njëkohësisht Policia e Vlorës ka vijuar punën për identifikimin  dhe sekuestrimin e aseteve dhe pasurive që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale.

Janë referuar në Prokurori materialet në ngarkim të Shahin Zanaj, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Policia ka evidentuar asetet në pronësi të tij, një biznes kantinë vere dhe një bar-restorant në Radhimë.

Në këtë kuadër po bashkëpunohet me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për evidentimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtyre shtetasve.

Në vijim, strukturat e policisë së bashku me ato doganore janë duke bërë inventarizimin e aseteve, për të dokumentuar plotësisht veprën penale të pastrimit të produkteve që burojnë nga aktiviteti kriminal.

Policia e Shtetit fton çdo qytetar që ka informacion apo konstaton veprimtari antiligjore të telefonojë falas në numrat 112 ose 129, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë dhe të ashpër. /a.y/noa.al

Zbulohet çokollatë dhe vaj kanabisi në shtëpinë e pronarit të një restoranti në Radhimë 

Foto ilustruese