Transmetuar më 21-02-2018, 17:35

Pas gjesteve antisportive në ndeshjen Partizani-Kukësi, sulmuesi i verilindorëve, Elis Bakaj është dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

Bakaj do të mungojë në dy takimet e radhës, por është dënuar edhe me një masë financiare prej 100 mijë lekësh të rinj.

Bakaj u pa të konfliktohej me tifozët vendas në fund të takimit, duke i sharë edhe me gisht, çka i ka kushtuar shtrenjtë sulmuesit nga Tirana.

Një ditë më parë, në një reagim në rrjetet sociale, Bakaj kërkoi falje për gjestin ndaj tifozëve, por tha se nuk do të lejojë askënd që të ofendojë familjarët e tij.

Sa i përket dënimeve të tjera, Komisioni i Disiplinës penalizoi edhe Partizanin me 100 mijë lekë gjobë, për sjellje të gabuar të spektatorëve.

Dënimit nuk i ka shpëtuar as Tirana, për parullat e shpalosura në ndeshjen kundër Bylisit, e cila do të luajë një ndeshje pa tifozë. /k.k/noa.al/