Transmetuar më 21-02-2018, 17:42

Në gjendje shoku janë futur banorët e një pallati të tërë, pasi në dhomat e gjumit të të gjitha apartamenteve, ishin vendosur kamera përgjuese.

Ngjarja u zbulua në Rethimno të Greqisë dhe cilësohet si rast i rrallë i përgjimit të dhomave të gjumit në një pallat të tërë.

Policia lokale thotë se ka identifikuar si autor të vendosjes së kamerave dhe shfrytëzimit të tyre, një burrë 47-vjeçar grek, banor i Kretës në Greqi.

I dyshuari, ishte banor i pallatit ku kishte një apartament me qira.

Për një kohë të gjatë deri një ditë më parë, 47-vjeçari, për orë të tëra qëndronte para ekraneve dhe shihte se çfarë bëhej në dhomat e gjumit të apartamenteve.

Por e gjitha kjo mori fund, pasi një grua arriti të zbulojë kamerën e fshehur mirë në dhomën e saj të gjumit, raporton noa.al, duke publikuar detaje nga dosja hetimore që Policia e Kretës i dorëzoi sot Prokurorisë së Rethimnos.

Në banesën e të dyshuarit u gjetën të gjitha provat për këtë krim të shkeljes së privatësisë, si ekranët monitorues, pajisje kompjuterike që mundësonin transmetimin nga kamerat përgjuese, etj.

I dyshuari tregoi dhe si i kishte vendosur kamerat. Ai tha se ruante momente kur në apartamente nuk kishte njeri dhe hynte duke vendosur kamera në dhomën e gjumit të tyre. /noa.al/