Transmetuar më 22-02-2018, 10:33

Lëvizja Socialiste për Integrim ka thirrur sot në interpelancë, ministren e Arsimit Lindita Nikolla lidhur me ligjin e Arsimit të Lartë. LSI i ka drejtuar pyetje Nikollës pse nuk kanë dalë aktet nënligjore të cilat shkaktuan krizën në universitete.

Deputetja Kejdi Mehmeti tha nga foltorja e Kuvendit se "qeveria ka harruar premtimet dhe ka rritur vetëm tarifat për universitetet dhe ministria është përgjegjëse. Si për të për mos mjaftuar këto, qeveria ka vendosur të heqë bursat për studentët. Papërgjegjshmëria për zbatimin e ligjit vetëm sa ka rritur kostot për familjet e shqiptarëve për të shkolluar fëmijët. Aktet nëligjore për zbatimin e ligjit nuk janë hartuar dhe po ashtu, as institutcionet që duhet të merren me zbatimin e ligjit”, theksoi Mehmetaj.

Pas deputetes së LSI, e ka marrë fjalën Nikolla e cila tha se ishte e lumtur që po dilte në Kuvend, pasi kishte shumë për të thënë dhe informuar dhe se nuk kishte krizë në Universitetin e Tiranës. Nikolla tha se në 5 muaj në detyrë në këtë mandat tha se ka qenë në dispozicion të komisionit të edukimit për 20 orë për 4 seanca.

“Në këto 5 muaj jetë parlamentare kam qenë prezentë në 6 seanca dëgjimore, nga këto 4 në komisionin e edukimit. Në këto 4 dëgjesa kam qenë në dispozicion të deputetëve pothuajse 20 orë. 20 orë në dispozicion edhe për shkak të keqdrejtimit të komisionit ku vetëm dëgjesë për çështje nuk ka. Nuk ka si të jetë e tillë kur ministri i thirrur në dëgjesë nuk ka mundësi të flasë dhe të japë shpjegime”, tha Nikolla.

Nikolla tha se janë vetëm 3 VKM të akteve nënligjore që pritet të miratohen brenda shkurtit. “Ne kemi plotësuar të gjitha udhëzimet e ministrit të Arsimit dhe jemi duke përmbyllur edhe VKM e fundit. Mbledhja e qeverisë së kësaj jave miratoi VKM për gradat dhe titujt akademike. Ju rinformoj se edhe udhëzimi i shumëpërmendur për ngarkesat mësimore tashmë është miratuar.

Pra janë vetëm 3 VKM pa miratuar nga aktet nënligjore të cilat përmbyllen brenda shkurtit. Janë realizuar 100% e udhëzimeve të ministrit, janë miratuar në masën 100% urdhërat e ministrat, rregulloret dhe urdhërat e kryeministrit”, u shpreh ministrja.

Ndërsa për procesin e Maturës Shtetërore, Nikolla tha se nuk ka qenë ajo në atë periudhë në krye të institucionit, por ministrja teknike.

Ndërsa deputetja Kejdi Mehmetaj në përgjigje të ministres tha se ka kthyer përgjigje për ato që konsideron vetë ministrja që duhet të thotë por jo çështjet që janë ngritur./b.l/noa.al/