Transmetuar më 22-02-2018, 11:00

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, u është bashkuar para Parlamentit, punëtorëve protestues të kompanisë nënkontraktore të by-passit të aksit Fier-Vlorë.

Ata protestojnë për shkak se nuk kanë marrë pagat prej disa muajsh, ndërkohë që kryedemokrati i inkurajoi në rrugën e tyre.

Sipas tij, mosmarrja e pagave është pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit.

“Ju e dini që firma kontraktore që mori nënkontraktorët, ka lënë një garanci tek shteti shqiptar. Kjo garanci mjafton dhe tepron që shteti pas largimit të kësaj firme mashtruese t’ua paguajë djersën tuaj. Kjo pagesë nuk kryhet sepse ka korrupsion qeveritar dhe kryeministror. Ka me dhjetëra telefonata të zyrtarëve afër kryeministrit dhe zyrtarëve të tij që fshehin një aferë të pistë korruptive. Edi Rama dhe Damian Gjiknuri fshehin një aferë të pistë që të marrin paratë për veten e tyre”, u shpreh Basha.

Ai premtoi se opozita do të ngrejë zërin edhe për “këtë aferë”, duke shtuar se nuk mund të jetë shteti i drejtë ai që kur vjen puna tek detyrimet të arreston.

Kreu i opozitës tha se nëse kontraktori dështon, shteti duhet t’ua kthejë ato njerëzve që u detyrohet.

“Ne do të bëjmë gjithçka që ju të merrni paratë që ju detyrohet shteti shqiptar”, tha në mbyllje Lulzim Basha. /a.y/noa.al