Transmetuar më 22-02-2018, 13:02

Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha pas përfundimit të seancës plenare ka folur para gazetarëve ku ka akuzuar kryeministrin Rama se po sulmon opozitën për të fshehur të vërtetën në lidhje me heqjen padrejtësisht të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.

“Edi Rama tregoi se është një njeri i pandjeshëm dhe nuk ka asnjë ndjenjë dhembshurie për qytetarët të cilët gjenden me sytë nga qielli. Kam vizituar qyetetarë pa asnjë të ardhur. Edi Rama e ka faktuar edhe sot se zgjedh të sulmojë opozitën për të fshehur përgjegjësinë karshi këtyre njerëzve. Ai është autori i braktisje së këtyre familjeve”, u shpreh Basha.

Më tej kreu i PD-së deklaroi se Rama sipas tij përdori alibi për të lënë pa bukë, pa ujë, pa dritë, mijëra familje shqiptare, ndërsa e cilësoi këtë një akt kriminal.

“Ky është një akt kriminal dhe do të luftojmë që kjo emergjencë të marrë fund. Vendi ka nevojë për zgjidhje, vendi ka nevojë që ekonomia te çlirohet nga oligakët dhe miqtë e Edi Ramës’, tha Basha para gazetarëve.

I pyetur nga media për protesta, Basha i ka kërkuar gazetarëve se kur do të dalin ata vetë në protestë.

“Protestat janë të vazhdueshme dhe janë të shtrira kudo, sot patë dy protesta këtu para parlamentit. Kur do ta bëni ju protestën e radhës për poshtërimin dhe shkeljen e të drejtave tuaja, ju sigurojmë që kurdo që ta bëni ne do të na keni në krah”, ka përfunduar Basha./b.l/noa.al/