Transmetuar më 22-02-2018, 15:45

Disa gjëra në jetë, dhe se si ne i përdorim janë jashtë kontrollit tonë. Por në kërkimet shkencore ushqimore që janë bërë, si dhe në të dhënat e mbledhura nga njerëzit tregojnë se çfarë, kur dhe mënyra se si ne hamë ka një ndikim të madh në bukurinë dhe jetëgjatësinë tonë.

Bëhet fjalë për një lloj diete, e cila karakterizohet nga një konsum i lartë i perimeve, frutave, arrave, bishtajoreve dhe një konsum i lartë i vajit të ullirit, por sasi e ulët e yndyrave të ngopura; peshk në mënyrë të moderuar, ndërsa produktet e qumështit dhe mishit duhet të jenë në nivele të ulëta; përdorim i rregullt i alkoolit, por pa e kaluar asnjëherë masën.

Të gjitha këto ushqime ndalojnë në nivele të konsiderueshme plakjen e qelizave të ADN-së dhe ndihmojnë në mbajtjen e njeriut gjenetikisht të ri.

Ky është rezultati i një studimi të kryer nga disa studiues amerikanë, i publikuar në revistën “British Medical Journal”, i cili kishte në monitorim rreth 5 mijë infermierë që ndoqën për vite me radhë një dietë të tillë.

Nga hulumtimi 10-vjeçar, u vu re se qelizat e tyre shfaqnin shenja më të vogla plakjeje, në krahasim me personat që nuk i ishin nënshtruar një diete të tillë.

Kësaj diete i janë njohur efektet pozitive në organizëm edhe për një sërë problematikash të tjera shëndetësore si obeziteti, sëmundjet e zemrës etj. Përveç të mirave që u sjell gjeneve, ajo është edhe një kurë e mirë antistres, për shkak të sasisë së madhe të vitaminave që përmban. Disa faktorë të dëmshëm të jetesës, si obeziteti, pirja e duhanit apo konsumi i tepërt i sheqerit mund të luftohen fare mirë nga dieta mesdhetare.

Meqenëse ka shumë fruta, perime dhe arra, dieta mesdhetare karakterizohet nga një numër i lartë antioksidantësh me efekte antiinflamatore. Studiuesit amerikanë kanë theksuar se besnikëria ndaj dietës mesdhetare është e domosdoshme për të pasur një shëndet të mirë dhe për të shijuar sa më shumë rininë./b.l/noa.al/