Transmetuar më 22-02-2018, 17:05

Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e gjyqtarit Shkëlqim Miri për zëvendësimin e masës së tij të sigurisë "arrest me burg". Miri e kishte kërkuar këtë zëvendësim me pretendimin  se vuan nga një sëmundje.

Më 23 janar avokati i Mirit i kishte kërkuar edhe Gjykatës së Lartë lirimin e klientit të tij. Sipas argumenteve të avokatit, gjyqtari Miri vuan nga një sëmundje e rëndë tumorale në kokë.

Seanca është zhvilluar pa praninë e gjyqtarit Miri, i cili ndodhet në spitalin e burgut me pretendimin se vuan nga sëmundja e lartpërmendur.

46-vjeçari u arrestua më 9 nëntor 2017 pasi dyshohet se ka marrë ryshfet për ndryshimin e vendimit gjyqësor ndaj shtetasit Gentian Doda. Ai ishte i dënuar me 20 vjet burg pasi në 1997 në Burrel vrau Gazmir Dedja dhe Asllan Gjokën.

Dyshohet se kundrejt vendimit Doda, ka fituar lirinë. Si prova materiale, policia sekuestroi në shtëpinë e Mirit një shumë prej 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë./b.l/noa.al/