Transmetuar më 22-02-2018, 17:18

Një sasi e madhe kokaine është sekuestruar nga autoritetet italiane, ku në sajë të operacionit është shkatërruar edhe një bandë shqiptare e trafikut të drogës.

Aksioni u zhvillua në qytetin e Ravenës, ndërsa lënda narkotike kap vlerën e 1 milion eurove.

Kokaina mendohet të jetë trafikuar nga Holanda, dhe ishte fshehur në një nga bazat e bandës në një apartament në qëndër të Ravenës, e konfeksionuar në 76 pako, gati për t’u shitur në tregun e Rivierës Adriatike. 

Për arsye hetimesh, policia italiane nuk ka bërë publik emrat e shqiptarëve, shumica e të cilëve janë arrestuar.

"Është një nga sasitë më të mëdha të kokainës e sekuestruar në territorin tonë, me një vlerë 1 milionë euro", ka deklaruar kreu i skuadrës operative të Policisë së Ravenës Claudio Cagnini.

"Është një goditje e fortë që i kemi dhënë trafikut të drogës.Hetimet deri më tani kanë zbardhur se kemi të bëjmë me një bandë trafikantësh profesionistë të cilët zotëronin armë dhe kishin lidhje me disa banda grabitësish që vepronin në territorin e rajonit të Emilai Romanjës", tha në konferencën e shtypit kreu i Policisë së Ravenës kuestori Rosario Eugenio Russo.

Gjatë operacionit janë sekuestruar dhe 20 kg paracetomol, i cili përdorej si pluhur përziers me kokainën.

Mbi pakot me kokainë ishin stampuar fjalë në kode në gjuhën shqipe. /k.k/noa.al/