Transmetuar më 23-02-2018, 11:08

Është një histori vetmie dhe dhimbjeje e përmbyllur në mënyrën më tragjike dhe të dhimbshme të mundshme. Një grua e moshuar spanjolle mbi të 80-at, María Luisa Martínez Barranco, u fal nga gjykata.

Ajo akuzohej për vrasjen me paramendim të djalit të saj 64-vjeçar Tomas, i verbër, shurdhmemec dhe me aftësi të kufizuara fizike, i pazoti për t’u kujdesur për veten.

Gruaja nga Torres de la Alameda, në Madrid, jetonte me të birin, të cilin e donte pa kushte, dhe nuk largohej më shumë se disa minuta prej tij.

Pas vdekjes së të shoqit prej kancerit në fyt dy vite më parë, duke druajtur se në të ardhmen askush nuk do të kujdesej për të, Maria Luisa, vendosi që ti japë fund jetës së saj dhe të birit.

Dy vite më parë, ajo përgatiti një koktej vdekjeprurës, të cilin ia injektoi të birit dhe më pas vetes. Pavarësisht ndihmës së kërkuar nga një mbesë e gruas dhe lavazhit gastrik, Tomas nuk ia doli të shpëtojë. Ndërsa ajo u akuzua për vrasje me paramendim.

Prokurori kërkoi gjashtë vite burg për të dhe 6 të tjera në spitalin psikiatrik, shkruan noa.al. Por në vijim të hetimeve, në seancën e kësaj të mërkure u arrit një marrëveshje, duke e shpëtuar nga burgu.

Maria u fal nga gjykata dhe për shkak se është e sëmurë, do të kurohet në shtëpi. /a.y/noa.al