Transmetuar më 23-02-2018, 13:45

Një lajm i mirë vjen për deputetet femra të cilat kanë fëmijë të sapolindur. Kjo pas disa amendamenteve të bëra në “Kodin e Sjelljes së Deputetëve”.

Një pikë e rëndësishme e këtij Kodi qëndron në faktin se nënat deputete me fëmijë të sapolindur do të kenë mundësi të marrin në seancat parlamentare edhe fëmijët e tyre.

“Deputetet mund të vijnë në Kuvend me fëmijë të porsalindur pasi do të krijohen hapësira të posaçme që të marrin pjesë nënat bashkë me foshnje”, thuhet në amendament.

Një tjetër amendim është se ndalohet votimi i deputetëve në emër të njëri-tjetrit.

Amendimet

1. Ndalohet gjuha e urrejtjes në Parlament. Fjalët provokuese do të jenë rreptësisht të ndaluara nga deputetët dhe ata që fyejnë e kërcënojnë njëri tjetrin, duhet të kërkojnë falje.

2. Ndalohet votimi i deputetëve në emër të njëri-tjetrit. Do të ekzistojnë precedentë që formësojnë rregulla strikte se si votohet.

3. Deputetet mund të vijnë në Kuvend me fëmijë të porsalindur pasi do të krijohen hapësira të posaçme që të marrin pjesë nënat bashkë me foshnje.

4. Stafi i Kuvendit nuk duhet të përdoret për qëllime partiake, por secili të mbajë përgjegjësi për vendin e tij.

5. Deputeti nuk duhet të përfitojë nga imuniteti i tij parlamentar për të shmangur arrestin, nëse ka një akuzë ndaj tij.

Ndryshimet e reja janë formuluar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste me ndihmën e OSBE-së. Kjo shihet si një Emergjencë pas detyrimit që Brukseli dha për anëtarësimin e vendit në BE dhe si një risi për Kodin aktual etik të Deputetëve. /a.y/noa.al