Transmetuar më 23-02-2018, 14:23

Instituti i Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik i përgjigjet me një plan masash situatës së shpërthimit epiodemik të frithit. Si pasojë e epidemisë, mësohet se është rritur edhe ndërgjegjësimi. Janë vaksinuar 10 mijë fëmijë dhe të rritur të ditëlindjeve ’80-’90, për të cilët MSH vijon apelin për tu vaksinuar sërish.

“Masat e marra për kontrollin e shpërthimit epidemik ishin në përputhje me udhëzimet dhe rekomandimet e OBSH: zbulimi dhe imunizimi i kontakteve të ngushta të rasteve, rishikimi i mbulimit të FRP në grupet e mbuluara me imunizimin rutinor dhe vaksinimi i të gjithë fëmijëve që nuk janë të imunizuar ose të imunizuar në mënyrë jo të plotë, etj.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjen rastin të përsërisë apelin për të gjithë prindërit, që të mos hezitojnë të kryejnë vaksinën për fëmijët e tyre si dhe personat që i përkasin ditëlindjes ’80-’90 të vaksinohen sërish, për të mbrojtur veten dhe njerëzit përreth nga sëmundja e fruthit”, thuhet në njoftim.

Më tej në deklaratë theksohet se Instituti i Shëndetit Publik, si institucioni përgjegjës për zbatimin e kësaj rregullore, është në gadishmëri të plotë 24/7 dhe po punon së bashku me drejtoritë e shëndetit publik në të gjitha Shqipërinë, Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor, institucionet e ofrimit të kujdesit shëndetësor si dhe institucionet e tjera publike në përgjigje të kësaj situate.

Prej muajit janar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet ISHP ka përcaktuar strategjinë për të kontrolluar shpërthim epidemik, në konsultim të plotë me Komitetin e Eksperteve të Vaksinimit dhe ekspertët e Komitetit të Eliminimit të Fruthit dhe Rubeolës.

Nëpërmjet Urdhrit nr.58 datë 16.01.2018, janë përcaktuar masat për kontrollin e infeksionit dhe parandalimin e shpërthimeve epidemike të fruthit.

U vendosën masa të kontrollit të infeksionit respirator në QSUT dhe spitalet rajonale si më poshtë:

– Izolimi në pavione të caktuara (në pediatri dhe tek të rriturit)

– Masa standarte të kontrollit të infeksionit dhe të transmetitmit ajror

– Përdorim i maskave nga personeli dhe pacientët kur shkojnë në ekzaminime

– Sigurim i dezinfektimit të mjediseve spitalore të përdorura më parë nga të sëmurët

– Vaksinim i personelit

– Monitorim i gjendjes mbrojtëse të personelit ndaj fruthit

– Vaksinim brenda 72 orëve i kontakteve të personave të infektuar menjëherë në vendin ku ata gjenden.

Një survejancë aktive është vendosur në QSUT dhe të gjitha spitalet rajonale si dhe qendrat shëndetësore në bashkëpunim me drejtoritë e Shëndetit Publik.

Më pas, me urdhër nr 94, datë 26.01.2018 u vendos raportimi i përditshëm i mungesave në cerdhe, kopshte dhe shkolla të fëmijëve dhe nxënësve të insitucioneve të arsimit parashkollor apo institucioneve të tjera arsimore për parandalimin e shpërthimeve epidemike të fruthit.

Pas këtij urdhri, ISHP dhe drejtoritë e shëndetit publik përgatitën një plan masash për gjurmimin e kontakteve dhe gjendjen e vaksinimit të tyre në çerdhe, kopshte dhe shkolla:

– Kontroll i vërtetimeve të vaksinimit që jepen nga konsultoret e lagjeve.

– Evidentim i fëmijëve me rash dhe temperaturë në këto institucione.

– Mospranim në këto institucione të fëmijëve të pavaksinuar.

– Evidentim i mungesave ne institucionet e arsimit parashkollor dhe shkolla

– Vaksinim i fëmijëve të pavaksinuar

Aktualisht po kryhet kontrolli në çdo qendër shëndetësore për evidentimin e të gjitha rasteve të dyshuara, kontrollin e imunizimit, kryesisht i vaksinës ndaj fruthit, zinxhirit ftohës, evidentimin e fëmijëve të prapambetur në kryerjen e vaksinimit, shkaqet e mos kryerjes së vaksinimit dhe po nxisim nëpërmjet personelit përgjegjës, procesin e vaksinimit. Nëpërmjet infermierëve të patronazhit janë lajmëruar me qindra fëmijë që po kryejnë vaksinën e fruthit.

Janë siguruar 140 mijë doza shtesë të vaksinës së fruthit. Nga raportimet e deritanishme numri i vaksinimeve ndaj fruthit (pa përfshirë vaksinimin rutinë), që nga fillimi i muajit Janar e deri tani ka arritur në 10 mijë doza në nivel kombëtar, nga të cilat:

– 3105 janë vaksinime të fëmijëve të prapambetur në vaksinim dhe të tjerat janë vaksinime të personave të kontaktit, adultë të datëlindjeve ‘80-‘90.

Po ashtu, me urdhrin nr 97 datë 29.01.2018, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndërmarrë programin e kujdesit shëndetësor në komunitet në të gjithë vendin, ku ka nisur vaksinimi pranë vendbanimit i fëmijëve të komunitetit rom.

Në zbatim të urdhrave të Ministrisë, Instituti i Shëndetit Publik ka përgatitur dhe shpërndarë udhëzimet për vaksinimin ndaj fruthit dhe udhëzimin për hetimin dhe kontrollin e Fruthit.

Strategjia e vaksinimit është fokusuar në vaksinimin e kontakteve përreth rasteve të identifikuar me fruth, vaksinim i popullatës që nuk ka kryer vaksinimin apo e ka shtyrë atë dhe vaksinim i grupeve të riskut.

Me urdhër të posacëm të Ministres së Shëndetësisë është riaktivizuar më datë 8.02.2018 Komiteti i Çertifikimit të Eleminimit të Fruthit dhe Rubeolës, i cili përgatit planin e veprimit për dokumentimin dhe verifikimin e eleminimit të fruth rubeolës në vend si dhe përgatit programin e vaksinimiit dhe të survejancës së fruth rubeolës.

Të gjitha masat janë marrë në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në përmbushje të rekomandimeve të tyre për masat e kontrollit ndaj shpërthimit epidemik.

Grupi i ekspertëve që vizitoi Tiranën pak ditë më parë konfirmoi efikasitetin e masave të marra nga MShMS.

Nga raport paraprak i grupit të ekspertëve rezultoi se: Hetimi epidemiologjik i shpërthimit, survejanca e zgjeruar me zbulimin e hershëm dhe raportimi i rasteve, konfirmimin e laboratorit dhe përdorimin e IT teknologjive për shkëmbimin e informacionit, kryhej në kohë reale./b.l/noa.al/