Transmetuar më 23-02-2018, 17:26

Kryeministri Edi Rama ka folur pas mbledhjes me qeverinë e cila u mbajt sot në Berat për diskutimet e bëra aty dhe për vendimet e marra. Gjatë komunikimit të tij me gazetarët, Rama tha se do të jenë shumë të vëmendshëm dhe do të veprojnë me vetëdije të plotë kombëtare në lidhje me ndërtimin e HEC-eve.

“Jemi edhe më të vendosur dhe më të vëmendshëm se ne nuk do ti vëmë asnjë minë Shqipërisë në asnjë sektor. Me HEC-et e trashëguara ka gjithmonë probleme, siç ndodhi me Valbonën ku ne e minimizuam atë që pritej të ndodhtë, për shkak të një serie lejesh. Ne nuk do lejojmë asnjë vepër industriale aty ku cënohet e ardhmja e industrisë kryesore të këtij vendi, që është turizmi. Do të jemi të vëmendshëm dhe do të veprojmë me vetëdije të plotë kombëtare”, u shpreh Rama.

Më tej kryeministri bëri me dije se është hartuar për herë të parë një program i mirëfilltë punësimi i hartuar nga një rreth personash të besueshëm dhe me ekspertizë ndërkombëtare.

“Ne kemi një prezantim publik për portofolin e Qarkut të Beratit. Qeveria ka pasur në fokus disa vendime që synojnë rritjen e ndërveprimit midis agjencive të qeverisë dhe pushtetit vendor në funksion të qytetarëve dhe punësimit. Për këtë arsye është miratuar krijimi i fokusit social që shkon në drejtim të decentralizimit të shërbimeve sociale, por që bën të mundur krijimin e një fondi të përbashkët mes Bashkisë dhe qeverisë”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se të gjitha ato investime që janë bërë nga qeveria janë në dispozicion të atyre që aplikojnë të marrin pjesë në këtë proces. “Qeveria autorizon Bashkitë, për të qenë sa më pranë nevojave. Së fundi kemi diskutuar për statusin e shërbimit kombëtar të punësimit si dhe për programin e punësimin, që është një sfidë e madhe. 

Kjo ka nisur të hartohet, por jo si strategji apo objekt qëllim mirë, por si një program i mirëfilltë dhe i detajuar sektor më sektor në punësim. Do ta lancojmë në pranverë. Për këtë program kemi ndërtuar një rreth të konsiderueshëm të mirëbesueshëm me ekspertizë të huaj, më Bankën Botërore si dhe  me të gjithë ministritë”, tha Rama./b.l/noa.al/