Transmetuar më 23-02-2018, 18:51

Si rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma/Itali, ditën e sotme është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në Sesto San Giovani/Itali, një i ri shqiptar.

Burime policore bëjnë me dije se në pranga është vënë Keivi Hysa, 27 vjeç, lindur  në Mamurras.

Hysa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë  me vendimin nr. 23-2015-13, datë 17.07.2015,  ka caktuar masën e sigurimit personal, "arrest me burg", për veprën penale të "Vrasje me paramendim" e kryer në bashkëpunim.

Ngjarja ka ndodhur në datë 10 korrik të vitit 2015 rreth 01:00, në qytetin e Sarandës, ku si rezultat i një mosmarrëveshje për motive të dobëta, me pronarin e një auto-lavazhi makinash shtetasin E. M., Keivi Hysa në bashkëpunim me shtetasit E. H., dhe L. H., kanë vrarë me armë zjarri shtetasin E.M.

ZQK Interpol Tirana, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, po kryejnë të gjitha veprimet procedurale për ekstradimin sa më të shpejtë në Shqipëri./b.l/noa.al/