Transmetuar më 24-02-2018, 08:58

Një 22-vjeçar rus i premtoi një vrasësi me pagesë 38 mijë euro në këmbim të eliminimit të familjes së tij, në mënyrë që të trashëgonte pasurinë e tyre të majme. Por, ajo që nuk llogariti i riu nga qyteti i Sochit ishte se në “gropën” që hapi për familjen e tij, do të binte vetë.

Prindërit dyshonin se diçka nuk shkonte me fëmijën e tyre dhe në polici ishin dërguar sinjalet se një ngjarje tragjike mund t’u ndodhte.

Për këtë, policia ruse inflitroi një agjent që u shtir si vrasës me pagesë. Në kontaktin e parë u vendos se kur dhe ku duhej të vriteshin ata, që të ngjasonte me një grabitje.

Me të marrë këto detaje, “vrasësi” nisi të zbatojë planin e dyfishtë. Ai paraqitet në shtëpinë e prindërve të 22-vjeçarit së bashku me kolegë të tjerë dhe vënë në lojë kundërplanin për të prangosur njëherë e përgjithmonë djalin.

Prindërit ishin ende mosbesues, por pranuan që të merrnin pjesë në këtë plan. Të lyer me bojë të kuqe, për të ngjasuar si gjak, ata u shtrinë në dyshemenë e shtëpisë së tyre, që vrasësi t’u bënte fotografi për t’ja treguar porositësit.

Takimi mes djalit të prindërve dhe “vrasësit” të shtirur u bë po atë ditë. Ai i tregoi fotot e prindërve dhe të motrës së tij 10-vjeçare të larë në “gjak”. 

Sapo pa fotot, 22-vjeçari pranoi që t’i kalonte në llogari “vrasësit” 38 mijë eurot e premtuara, sapo të trashëgonte pasurinë e familjes.

Por, fatmirësisht nuk ishte e thënë për të. E gjitha ishte një grackë e policisë, që pikërisht në këtë moment ndërhyn, e arreston dhe e vendos përballë akuzave.