Transmetuar më 24-02-2018, 10:46

Kryeministri Edi Rama pranoi se skema e ndihmës ekonomike ka pasur marzhin e gabimit duke nxjerrë nga skema familje të varfëra por shumë raste që janë hequr kanë qenë ata që e fitonin në mënyrë të padrejtë këtë ndihmë.

“Skema ka marzhin e vet të gabimit dhe ka raste që kanë dalë nën nivelin ku skema mbyllet. Kjo është arsyeja që i kemi dhënë bashkive 6 % të fondit shtesë dhe po bëjmë proces rivlerësimi që të mos lëmë askënd pa rivlerësuar. Por është e padiskutueshme që 70 % e atyre që kanë dalë nga skema janë 24- 45 vjeç në formë perfekte për punë”, u shpreh Rama.

Më tej kreu i qeverisë u ndal edhe tek ngjarja e mbrëmshme në Berat kur sapo doli nga mbledhja e qeverisë në qytetin muze të Beratit u përball me qytetarët e hequr nga skema e përkrahjes sociale. Ai tha se  do të vlerësohet çdo rast  por la të kuptojë se protesta e djeshme ishte e organizuar dhe ata që nuk duan të punojnë le të marrin rrugët e protestave.

“Do të vlerësojmë çdo rast ku ndihma ekonomike është domosdoshmëri për të adresuar varfërinë e thellë të çdo familje. Nëna kryefamiljare me fëmijë janë prioritet. Burrat që duan ndihmë ekonomike le të shkojnë të marrin rrugët e protestave dhe të paguhen nga organizatorët e protesta. 

Ne ndihmë ekonomike për ta nuk kemi. Le ti grahin protestave se kjo histori duhet të marrë fund një herë e mirë. 300 mijë lekë janë shumë më tepër se 50 mijë lekë që është ndihma ekonomike mesatare. Për parazitët nuk kemi mundësi të shpenzojmë paratë e marra nga taksat”, shtoi Rama./b.l/noa.al/