Transmetuar më 24-02-2018, 11:43

Floriana Garo është në pritje të vajzës së saj, fëmija i parë i moderatores e cila tashmë jeton në Gjenevë. Në një intervistë për kopertinën e revistës Who, moderatorja e ëmbël shqiptare, ka folur për këtë periudhë në një bisedë që vërtitet rreth pritjes së fëmijës.

Floriana ka treguar që trupi i saj ka ndryshuar, por jeta jo dhe aq. Ajo jeton të tashmen, ndaj pret që gjithçka të ndryshojë kur të lindë vajza. Tani për tani, veç gëzimit, ndien dhe “sikletet” e shtatzënisë. Megjithatë, çdo gjë është normale.

Moderatorja ka treguar sesi të gjithë janë të lumtur për ardhjen e fëmijës, Enisi, prindërit e tyre. Kur të lindë vajza do të vijnë në Gjenevë edhe prindërit e Florianës.

Ajo ka treguar që mezi po i pret ngaqë e ka marrë malli. Një qetësi më shumë i jep fakti që mamaja është mjeke gjinekologe. Sigurisht do të vijë edhe gjyshja tjetër.

Ndërkaq, Floriana është e angazhuar në dy biznese që ka hapur së bashku me Enisin, një dhomë tregtare dhe një sallon flokësh për meshkuj dhe femra në qytetin e vjetër të Gjenevës.

Këto angazhime nuk i lënë kohë për punë shtëpie, ndaj, edhe pse nuk është më vajzë ekranesh, nuk është kthyer në shtëpiake. Floriana ka treguar që emrin e vajzës e ka zgjedhur tashmë edhe pse nuk e ka zbuluar.

Ajo tregon se do donte që vajza t’i ngjante asaj nga buzëqeshja dhe gjatësia, ndërsa Enisit t’i ngjante nga vendosmëria dhe iniciativa e guximit.