Transmetuar më 24-02-2018, 13:31

Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Berat, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Ndërsa Rama tha se qeveria nuk do të shpenzojë para nga taksat për asnjë parazit, duke iu referuar skemës së re të ndihmës ekonomike, Basha e quan vetë kryeministrin parazit dhe hajdut.

“U ka thënë e mbani mend, më punësoni që t’ju punësoj, keni punësuar një parazit dhe një hajdut. Mos e lejoni t’ju kërcënojë me bukën e fëmijëve tuaj, merreni fatin tuaj në dorë. Ne s’do i ndahemi asnjë sekondë kësaj emergjence kombëtare. Përballja do jetë në parlament dhe kudo”, shprehet Basha.

Më tej ai ka theksuar se Ramën nuk e beson askush kur thotë se një qytetar preferon 50 mijë lekë në vend të 400 mijë lekëve. Sipas tij ai e thotë këtë për të mbuluar një të vërtetë të dhimbshme.

“Ku janë këto vendet e punës që nuk i pranojnë shqiptarët? Sigurisht që nuk janë, as në fantazinë e Ramës se e di mirë që s’ka vende të tilla pune por abuzon dhe fsheh të vërtetën dhe kjo është një vepër kriminale në kuptimin human dhe ligjor.

S’ka gjetur kohë të shkojë në një familje që i është prerë ndihma ekonomike ti shohë në sy e të kuptojë që i është prerë pa asnjë motiv ndihma ekonomike. Detyra e kryeministrit s’është t’i përgojojë këto familje, të tallet e ti nënçmojë, ti japë urgjentisht ndihmën ekonomike për të cilën ju detyrohet sipas ligjit. S’është arsyeja që s’ka fonde, por shkojnë për luks qeveritar", tha Basha.

Sipas kryedemokratit, në Berat këto 48 orë shpura qeveritare me hotele, dreka e darka, me punonjësit e gardës, kanë shpenzuar mjaftueshëm para për të paguar ndihmën ekonomike për të gjitha familjet e hequra në mënyrë abuzive në qarkun e Beratit. Lihen në mëshirën e fatit që Rama dhe banda e tij qeveritare të hazdisen në luks. /b.l/noa.al/